NGA: JETON SELIMI*
Kampionati përjeton finalen e tij të nxehtë, por ndërkohë, edhe pse për të bërë bilancet përfundimtare duhet pritur edhe pak, vijnë sinjalet e para për sa i përket të ardhmes së disa prej trajnerëve të skuadrave të Kategorisë Superiore. Bëhet fjalë për stolat e Partizanit, Tiranës dhe Teutës, ku të paktën sipas sinjaleve paraprake timonierët mund të qëndrojnë të njëjtët. Në kampin e kuq deri më tani është një finale me shije të hidhur, barazimit në frymën e fundit në derbi i është shtuar dhe ajo disfatë në kufijtë e fatales me Bylisin që ka rritur pakënaqësinë e tifozëve ndaj stafit për një titull, që duket i destinuar të shkojë sërish në Korçë, por përkundër opinionit të përgjithshëm, ka dalë presidenti Demi që nëpërmjet një mesazhi në emisionin sportiv, “Ora Skaner” ka bërë të ditur se Agostineli do të qëndrojë edhe për dy vite të tjera te Partizani.

Një qëndrim për të mbështetur stafin, kur mbeten edhe dy javë për t’u luajtur, dëshirë për të qëndruar stoik në një moment të vështirë përballë kritikëve apo besim i pastër në punën e italianit? Kjo mbetet për t’u parë, ndërkohë numri një i të kuqve e ka thënë fjalën e tij. Tirana është jashtë objektivave, Europa është matematikisht një objektiv i sfumuar. Trajneri Daja ka deklaruar disa herë se pa Europën do të japë dorëheqjen, por tifozët i ka në krahun e tij, klubi i ka vënë në tavolinë rinovimin dhe vetë tekniku ka sqaruar pozicionin e tij që para ndeshjes me Flamurtarin, duke treguar dhe opsionin korrekt ku të gjithë mbajnë fjalën, por që e mban në krye të stolit edhe për vitin e ardhshëm.

“Unë kam deklaruar se do të jap dorëheqjen time nëse nuk arrijmë Europën, pastaj drejtuesit e klubit kanë në dorë për ta pranuar atë ose jo, dhe unë më pas mund të rishikoj pozicionin tim.” Europa është një mision i sfumuar te Tirana, Ilir Daja e vendos fatin e tij në duart e klubit që mund ta konfirmojë ose jo, opsion politikisht dhe moralisht korrekt dhe që duket se mund të garantojë vazhdimin e projektit te bardheblutë. Të tjera sinjale ndërkohë kanë ardhur edhe nga Teuta. Këtu nuk bëhet fjalë për zhgënjime. Gugash Magani ka siguruar në drejtimin e skuadrës 57 pikë, po aq sa Kukësi i vendit të tretë, dhe ka shanse reale për të arritur Europën, një objektiv përkundër çdo parashikimi në fillim të sezonit. Në Durrës duhet të jenë pa dyshim të kënaqur me punën e tij, dhe tekniku peqinas nuk ngurroi që pas barazimit me Skënderbeut, në deklaratën e tij në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” të hapë dyert e rinovimit të kontratës.

“Durrësi është një vend që më pëlqen, pasi këtu mund të shprehem dhe jam i hapur për të diskutuar me klubin, e madje ndoshta dhe do të kemi një rinovim në ditët e ardhshme”. Agostineli, Daja dhe Magani, jashtë valsit tradicional të stolave për sezonin e ardhshëm? Të paktën sot për sot duket se po, pa harruar kurrë që në futboll asgjë nuk mund të merret e mirëqenë, edhe pse kjo është një fushë ku kurrë nuk mund të thuash kurrë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: