Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje Policisë së Shtetit që të ndalojë menjëherë sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.

Nga raportimet e paraprake Policia e Shtetit ka dëmuar fizikisht gazetaren e FaxNews Fatime Halmusa, ndërsa ka penguar forcërisht ekipin e A2CNN për të raportuar nga protesta që po ndodh aktualisht para Ministrisë së Brendshme.

Problematika raportojnë edhe mediat e tjera.

Kjo është e papranueshme dhe meriton trajtim urgjent nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me termat më të ashpër sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestës së të martës, 13 tetor 2026, përpara Ministrisë së Arsimit.

AGSH ka marrë raportime të shumta për pengimin e gazetarëve dhe sjellje tërësisht joprofesionale nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj, raportoi drejtpërdrejt dhunën e ushtruar ndaj tij dhe operatorit Heri Simota nga efektivë të policisë.
Gjithashtu, gazetarja Fatime Halmusaj ka pësuar dëmtime fizike pasi është goditur në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga Policia.
AGSH vlerëson se gjatë muajve të fundit Policia e Shtetit ka penguar në mënyrë të përsëritur gazetarët të raportojnë nga protestat dhe në shumë raste ka treguar mungesë bashkëpunimi me përfaqësuesit e medias.

Këto incidente nuk mund të trajtohen më si raste të izoluara, por përbëjnë një shqetësim serioz për mënyrën se si strukturat policore respektojnë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

AGSH rikujton se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor dhe institucional jo vetëm të mos pengojë punën e gazetarëve, por edhe të garantojë sigurinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Përdorimi i forcës ndaj punonjësve të medias, pengimi i lëvizjes së tyre dhe kufizimi i pajustifikuar i aksesit në vendngjarje janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisin menjëherë verifikimet për incidentet e raportuara, të identifikojnë efektivët e përfshirë dhe të marrin masat përkatëse në përputhje me ligjin.
Njëkohësisht, AGSH i kërkon Ministrisë së Brendshme të marrë masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla, përmes udhëzimeve të qarta për strukturat policore dhe trajnimeve mbi respektimin e lirisë së medias gjatë tubimeve publike.
AGSH thekson se identifikimi i gazetarëve dhe ekipeve mediatike duhet të shërbejë për të lehtësuar dhe mbrojtur punën e tyre, jo për t’i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve arbitrare apo përdorimit të forcës.

AGSH do të vijojë dokumentimin e këtyre incidenteve dhe ndjekjen e tyre pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe informimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe rrjeteve për mbrojtjen e gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetarët dhe operatorët e prekur nga incidentet e sotme dhe rithekson se asnjë gazetar nuk duhet të përballet me dhunë, intimidim apo pengim për shkak të ushtrimit të profesionit të tij.

Screenshot 4
Screenshot 4

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb