Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë aktivitetit të mbrëmshëm, ku u interpretua një këngë me përmbajtje nacionaliste serbe kundër Kosovës.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian, kreu i qeverisë e cilësoi të papërshtatshëm interpretimin e këngës, duke theksuar se një veprim i tillë nuk duhet të kalojë në heshtje, pavarësisht nëse ishte i qëllimshëm apo pasojë e injorancës.

Rama u shpreh se ky incident nuk prek vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por rrezikon të rikthejë retorikën nacionaliste dhe tensionet e së kaluarës në rajon.

“Dua të them diçka përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimshme apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi. U interpretua nën titullin e bukur melodik të unitetit”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se prej vitesh ka mbështetur afrimin e Serbisë me Bashkimin Europian, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por pa toleruar retorikën nacionaliste.

“Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh për sa i përket rëndësisë që ka për fqinjësinë tonë mbajtja e Serbisë në anën tonë, në anën e Europës, që të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje. Por, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të mos lëmë hapësirë për britmat mesjetare. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim”, u shpreh Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb