KOSOVË- “Koalicioni është krijuar para programit të koalicionit duke vënë theksin në ndarjen e posteve e jo në politikat zhvillimore”, kështu e cilëson koalicionin Thaçi-Mustafa, Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Në këtë mënyrë Ahmeti thotë se qytetarët kanë mungesë të shpresës dhe nuk po shohin ndonjë program politik që mund të na nxjerr nga kriza.

“Është e vërtetë që Jabllanoviçi është vetëm një emër dhe se mund të zëvendësohet me një Jabllanoviç tjetër, por qytetarët përmes kërkesës për shkarkimin e tij po e shprehin edhe pakënaqësinë e funksionimit të kësaj qeverie karshi Vuçiçit, Serbisë e SPRSKAS. Kur në një qeveri zv. kryeministri dhe ministrat të shkojnë në Beograd dhe nga ndërtesa e qeverisë atje marrin qëndrime për Trepçën fajin nuk duhet kërkuar te qytetari por te vetja. Prandaj mos shkarkimi tregon dobësi, mos respekt dhe mospërfaqësim”, shkruan Shpend Ahmeti në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Ahmetit frika nga dalja e listës nga koalicioni po e shtien Kosovën në një degradim total të demokracisë, dinjitetit dhe zhvillimit.

“Arseytimi se Thaçi ja ka lënë “kompirat e nxehtë” dhe se nuk e ka ditë se si është puna me Trepçën nuk e shfajëson as Thaçin e as Mustafën. Përkundrazi dëshmon një qeverisje të bazuar në një koalicion mosbesues ku interesi i vetëm i përbashkët është ndarja e kulaçit dhe favoret e dyanshme dhe asnjëherë puna për interes të përgjithshëm publik. Me këtë qeverisje të inateve e të “kush ja lëshoj kujt” pëson qytetari dhe i njëjti po e kupton prandaj edhe po proteston”, thotë Ahmeti.

Sipas Ahmetit kapja e institucioneve ka ndodhë si në nivel qendror ashtu edhe lokal. “Mosveprimi i prokurorisë dhe institucioneve të tjera është pasojë e degradimit shumëvjeçar të politikës përmes klientelizmit, nepotizmit e korrupsionit. Çlirimi i Prishtinës po sfidohet nga pronarët e rinj të kulaçit qendror që synim nuk e kanë çlirimin e institucioneve por kontrollin e tyre në stil të njëjtë por tash edhe me qëllimin e sabotimit të ndryshimeve edhe në kryeqytet. Këtë po e shohin shumë qartë edhe qytetarët e Prishtinës”, shprehet Ahmeti.

“Të protestohet, për të ndalur ikjen në Hungari, për të ndalur faljen dhe grabitjen e pasurive si Trepça, për të ndalur hajninë e korrupcionin, për të treguar se nuk durohet më kështu. Të jepet porosi këtyre dhe të gjithë politikanëve tash e tutje që pronari i vetëm i Kosovës janë qytetarët e saj.
Prandaj unë nesër do të protestoj si qytetar i Republikës së Kosovës. Prandaj i ftoj të gjithë të protestojmë si qytetarë të Republikës sepse të qenit qytetarë të kësaj republike na obligon ta mbrojmë këtë republikë, të kërkojmë një jetë më të mirë.”, përfundon komentin e tij Shpend Ahmeti.
(a.h/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: