Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, thekson në raportin vjetor se dhuna në familje në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj, rrallë përfitojnë nga drejtësia. Atje vazhdon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit. Qasja në strehim të përshtatshëm për njerëzit që jetojnë në varfëri, përfshirë romët, mbetet shumë e kufizuar përkundër zotimeve të qeverisë. Ish-kazermat e parapara për t’u shndërruar në strehim të përkohshëm për të dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.

Në qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e romëve, politikat kundër diskriminimit dhe zbatimin e të drejtave në pronë.

Amnesty vëren se vendndodhja e trupit të Remzi Hoxhës, një shqiptar etnik nga Maqedonia i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e sigurimit shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit në vitin 2013 se vendndodhja e varrit të tij do të identifikohet.

Prokurorët shqyrtuan rastin e Aleks Nikës, një demonstrues i cili vdiq pasi u qëllua gjatë demonstratave kundër qeverisë në janar të vitit 2011 në Tiranë. Në muajin maj, oficerët e policisë të cilët dyshoheshin për keqtrajtimin e disa demonstruesve gjatë dhe pas protestave, u morën në pyetje. Në korrik, prokurori shtetëror ngriti akuza kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe zëvendësit të tij për dështimin e arrestimit të gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës të dyshuar së kanë shtënë kundër demonstruesve.

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm. Në muajin shkurt, ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptianët, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm  dhe kanalizime. Megjithatë, një përparim i paktë është shënuar.

Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.

Ish-të burgosurit politik organizuan një grevë urie për shkak të dështimit të qeverisë për kompensimin e drejtë për burgosjen e tyre nga qeveria komuniste ndërmjet viteve 1944-1991, kur mijëra veta ishin burgosur apo dërguar në kampe të punës ku u ishin nënshtruar torturave dhe keqtrajtimeve.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb