TIRANE- Akademia e Forcave të Armatosura dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan sot një marrëveshje me qëllim vendosjen e një kuadri institucional bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes zhvilluar në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila vlerësoi maksimalisht arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Nxënia dhe mësimi, arsimimi, edukimi, shkollimi, duhet të jetë ashtu siç është për çdo komb, shpëtimi i kombit shqiptar, pa të cilin ne nuk mund dhe nuk duhet të shkojmë asgjëkundi. Sot të qenit një ushtri profesioniste, e kërkon në mënyrë të detyrueshme rritjen e nivelit të arsimimit të Forcave tona të Armatosura.

Mundësitë për shkollim që i jepen njerëzve në uniformë për të studiuar në akademitë më të mira ushtarake mbarëbotërore, nuk i heq asgjë nevojës për të bashkëpunuar me Universitetin e Tiranës, sidomos kur flitet për studime më të thella, më të avancuara siç është rasti i studimeve në master dhe doktoraturë. Sot ushtria shqiptare është një ushtri disa herë më e vogël se në të shkuarën dhe kjo e bën më të nevojshëm specializimin dhe marrjen e disa njohurive shumë specifike, gjë që rrit kostot e MM dhe të Akademisë në mënyrë të veçantë. Ky bashkëpunim do të mund të lehtësonte këtë barrë financiare që akademia jonë ka sot. Në këtë mënyrë ne do të çlirojmë disa procedura të cilat kishin mbetur ngërç për shkak të pamundësisë që këto doktoratura apo mastera, të mund të përfundoheshin pranë akademisë.”,- tha me këtë rast ministrja Kodheli.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Akademisë së Forcave të Armatosura kolonel Ruzhdi Kuçi dhe rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, të cilët theksuan përfitimet reciproke të dy institucioneve të Arsimit të Lartë, që rrjedhin nga vendosja dhe zhvillimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit.

Marrëveshja e nënshkruar sot parashikon ndër të tjera, shkëmbim të personelit akademik për mësimdhënie në lëndët e modulet me interes te përbashkët, kualifikim të personelit akademik, nëpërmjet organizimit të seminareve, workshop-eve, konferencave shkencore, udhëheqjeve shkencore, organizimin e programeve te përbashkëta, transferimin e studimeve dhe programeve sipas nevojave dhe interesit të përbashkët, bashkëpunimin për botime të përbashkëta akademike dhe periodike, shfrytëzimin e bibliotekave nga personeli akademik dhe studentët e dy institucioneve, etj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: