Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar mënyrën e funksionimit të shtetit si të fokusuar në pasurimin e rrethit të ngushtë.

Berisha akuzoi se ligji për konfliktin e interesit “nuk ekziston më”, duke pretenduar se është rrëzuar në praktikë nga abuzimet me pushtetin dhe pasuritë publike.

Ai veçoi gjithashtu AKSHI, të cilin e quajti “gropa e zezë familjare”, duke pretenduar se në këtë institucion janë përfshirë interesa familjare dhe përfitime të mëdha financiare nga tenderat publikë në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Pra, kemi të bëjmë me një qeveri e cila funksionon vetëm për vete, funksionon vetëm e vetëm për pasurimin e anëtarëve të saj e rrethit të tyre familjar. Ligji që parandalon, që mbron qytetarët nga abuzimi i zyrtarëve me pasuritë e tyre quhet ligji i konfliktit të interesit. Ky ligj është rrafshuar me zero. Ky ligj nuk ekziston më. Shembullin më së pari e dha vetë Edi Rama, kur ai me firmën dhe vulën e tij i ka dhënë vëllait të vet 38.000 m2 tokë. Kur ai ka shtrirë dorën e tij të zezë në të gjitha këto koncesione. Miq, çdo koncesion i tij del një vjedhje e madhe e përmasave të jashtëzakonshme. Por ai nuk u ngop vetëm me koncesionet. Gropa e madhe e zezë familjare e tij është AKSHI. AKSHI-n në të cilin Edi Rama, Linda Rama dhe Armand Frangu kanë patur minierën e Floririt. Kanë plaçkitur shqiptarët në qindra e qindra milionë euro. Për të realizuar këtë plaçkitje të madhe, Edi Rama në vitin 2017 nxorri një vendim qeverie me të cilin të gjitha tenderat në fushën e IT-së të të gjitha drejtorive, agjencive, ministrive të vendit do t’i bënte tashmë vetëm AKSHI. Në mënyrë që AKSHI të mos kishte më pak qindra milionë, por shumë e shumë qindra milionë tendera.
Ergys Agasi, ju e morët vesh që vera 33.000 euro që i dhurohej Edi Ramës për dreka dhe darka shoqërohej me 200.000 të tjera. Pra, kutia e verës përmbante vetëm një shishe dhe pjesa tjetër mbushej me 500-she euro. E megjithatë, Ergys Agasi apo Alias Ergys, Edi Rama, Alias Ergys Agasi, është i lirë, shëtit i lirshëm, shoqërohet nga policia, vazhdon punimet në pronat e sekuestruara. Ligji pra nuk ekziston. Ajo që mbetet, mbetet revolta qytetare. Ndaj dhe e mbyll këtë hyrje me thirrjen më vëllazërore për çdo qytetar shqiptar të bashkohemi me datën 8 maj në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, në kryengritjen më të fuqishme paqësore kundër këtij regjimi”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb