Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se “zgjedhja e drejtuesit të partisë është një proces ekskluzivisht në dorë të anëtarësisë dhe jo të faktorëve të jashtëm”.
Berisha theksoi se Partia Demokratike ndodhet në një proces riorganizimi dhe ripërtëritjeje, të cilin e cilësoi si më demokratikun në historinë e saj.
“PD është në një proces riorganizimi, ripërtëritjeje, më demokratikun që ka njohur. PD ka garë në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë,” u shpreh ai.
Ai shtoi se në këtë proces nuk mund të ketë ndikim nga kryeministri Edi Rama, duke theksuar se zgjedhja e kryetarit do të bëhet vetëm nga vota e anëtarëve të partisë.
“Kurrë Edi Rama nuk do të mund të përcaktojë kryetarin e kësaj partie. Kryetarin e përcaktojnë demokratët me votën e tyre dhe askush tjetër,” tha Berisha.
Sipas tij, në parti është duke u bërë punë edhe për përfshirjen e të rinjve dhe zgjerimin e hapësirave për garë të brendshme.
