Policia e Shtetit është vënë në lëvizje pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mëngjesin e të dielës në Tiranë, ku një ashensor u shkëput në një pallat në zonën e Astirit, e si pasojë, u lënduan dy gra.

Policia njofton se është proceduar penalisht administratori i firmës së mirëmbajtjes së mjetit lëvizës, Defrim Shabani dhe është arrestuar vëllai i tij, Dritan Shabani. Vlen të përmendet se dy të plagosurat nga ky aksident ndodhen në Spitalin e Tramuës, jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Vihet në pranga tekniku i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve, të kompleksit të pallateve në Astir.

Proçedohet penalisht dhe administratori i firmës së mirëmbajtjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” të shtetasit D. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë mesnatës, dyshohet se duke qënë i punësuar si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve, në kompleksin e pallateve në Astir, nuk ka konstatuar problemin teknik që ka patur ashensori i njërit prej pallateve të kompleksit, i cili është shkëputur, duke rënë në gjëndje të lirë sëbashku me disa shtetas që ndodheshin në të. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. S., 27 vjeçe, e cila ndodhet ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Po në vijim të veprimeve është proceduar në gjëndje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” vëllai i tij shtetasi D. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës ku ishte i punësuar vëllai i tij shtetasi D. Sh si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshem.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb