Një nënë dhe katër fëmijët e saj të vegjël  shuan nga një aksident i rëndë me makinë pasditen e së hënës, në Brisbane të Australisë. Charmaine Harris McLeod, 37-vjeçe, udhëtonte bashkë me dy vajzat Ally, 6-vjeçe, Matilda, 5 vjeçe dhe djemtë Wyatt, 4 vjeç dhe Zaidok, 2 vjeç, kur u përfshinë në një aksidentin me pasoja tragjike.

Policia tha se makina tip “Nissan” që drejtohej nga 37-vjeçarja tentoi të parakalonte një kamion në një rrugë periferike, por u përplas me një tjetër kamion që vinte në drejtimin e kundërt. Të dyja automjetet shpërthyen në flakë dhe drejtuesi i kamionit doli nga mjeti duke u hedhur nga dritarja. 47-vjeçari u dërgua në spital me djegie në duar dhe çarje në kokë, dëmtime që i ka marrë në tentativë për të ndihmuar familjen.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

McLeod dhe 3 prej fëmijëve të saj u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa një prej vajzave arriti të dilte nga mjeti i shkatërruar, por humbi jetën rrugës për në spital. Shërbimet e Emergjencës në Brisbane thanë se kjo është ndër tragjeditë më të mëdha rrugore të ndodhura ndonjëherë. Punonjësit e Emergjencës thanë se ndihen të traumatizuar nga skena e aksidentit, duke e përshkruar pamjen si katastrofike.

Humbja e nënës dhe katër fëmijëve të saj të vegjël ka tronditur edhe njerëzit e afërt ose që e njihnin familjen. Ata thanë se 37-vjeçarja ishte një nënë e mrekullueshme dhe nuk meritonte një fund të tillë tragjik.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb