Duke udhëtuar në më shumë se 30 vende për të ngritur alarmin mbi krizën globale të klimës, aktivistja tetëvjeçare indiane tani po përgatitet për një udhëtim prej afër 18 mijë kilometrash nga India në Britani me makinë elektrike për të rritur ndërgjegjësimin ndaj karburanteve fosile tek e cila mbështetet ekonomia.

“Ky do të jetë një nga misionet e mia më të mëdha në jetë si pjesë e Lëvizjes se Fëmijëve në luftën kundër krizës globale të klimës”, tha Licypriya Kangujam  lidhur me udhëtimin e saj që ajo planifikon të fillojë më 13 shtator të vitit 2020, përpara bisedimeve ndërkombëtare të klimës COP26 në Glasgow të Skocisë.

Më 5 mars, ajo njoftoi udhëtimin ku do të kalojë 18 vende brenda 90 ditëve, duke kërkuar ndihmë dhe mbështetje gjatë udhëtimit nga grupet mjedisore.

Ajo do të shoqërohet nga nëna e saj dhe dy të tjerë gjatë udhëtimit.

Duke nënvizuar se konsumi i hidrokarbureve po e çon ngrohjen globale në nivele të rrezikshme, ajo tha se industria e karburanteve fosile gjithashtu është përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të ndotjes së ujit dhe ajrit, një barrë që prek kryesisht komunitetet me të ardhura të ulëta.

“Jam duke u përpjekur të dërgoj një mesazh të fortë për të gjithë botën lidhur me këtë, përpara Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën 2020 [COP26] që do të mbahet në Glasgow të Britanisë”, tha ajo.

Licypriya tha se shume udhetarë nëpër botë i ishin përgjigjur pozitivisht thirrjes së saj për mbështetje, duke përfshirë kolegun-udhëtarin holandezë dhe aktivistin e mjedisit Wiebe Wakker.

“Pas njoftimit tim zyrtar, kam marrë udhëzime dhe mbështetje nga shumë udhëtarë të botës për ta kryer me sukses misionin tim. Disa prej tyre janë Z. Marek Kaminski nga ‘Power4Change’ nga Polonia, mbajtës i rekordeve botërore, Z. Wiebe Wakker nga ‘Plug Me In'”, tha Licypriya.

Shumë njerëz gjithashtu e përhapën ndihmën e tyre në formën e mikpritjes lokale, tha ajo, duke shtuar: “Unë mendoj se ky mision do të jetë një sukses i shkëlqyeshëm”.

Mbajtësi i rekordeve botërore ofron ndihmë

Aventurieri holandez dhe themeluesi i projektit “Plug Me In”, Wiebe Wakker, i cili mban rekordin aktual botëror për përfundimin e udhëtimit më të gjatë me makinë elektrike, kontaktoi Licypriyan pasi dëgjoi kërkesën për ndihmë për udhëtimin e saj.

Wakker mban rekordin aktual botëror për udhëtimin më të gjatë ndonjëherë me makinë elektrike, duke mbuluar një distancë prej rreth 95.000 kilometrash, duke kaluar 33 vende nga Holanda për në Australi për 1.111 ditë.

“Sigurisht, pasi kam bërë një udhëtim të gjatë me makinë elektrike dhe jam vetëshpallur ambasador i makinës elektrike, unë menjëherë u entuziasmova për udhëtimin e Licy dhe mendova se përvoja ime mund të ishte e dobishme për të”, tha ai.

Wakker tha se “menjëherë” i dërgoi Licypriya-s një email dhe ofroi mbështetjen e tij sapo u njoftua me planet e saj në Twitter përmes shumë entuziastëve të makinave elektrike që ai ndjek.

“Udhëtimi i saj do të kalojë në shumë vende, megjithëse infrastruktura e makinave elektrike ende ka mungesa. Për fat të mirë, makinat elektrike nuk kanë nevojë për stacione të dedikuara për karikim, mund të ngarkojmë edhe në prizat standarde familjare, por kjo kërkon ca kohë shtesë. Kështu që, duhet të përgatiteni mirë për të pritur një kohë të gjatë për karikim”, tha ai.

Duke rekomanduar udhëtimin gjatë ditës dhe duke u karkikuar gjatë natës, aventurieri holandez tha: “Për fat të mirë”, rrjeti i energjisë elektrike është i sigurtë nga Irani në Britani të Madhe.

Duke krahasuar udhëtimin e planifikuar të Licypriya me udhëtimin e tij në Australi, Wakker tha se infrastruktura e karikimit është zhvilluar me shpejtësi që nga viti 2016, që do të thotë se ajo nuk do të përballet me probleme të energjisë pas largimit nga India.

“Nëse shikoni rrjetin e super-karikuesit të Tesla-s, mund të shihni që është e mundur të mbuloni 80 për qind të Evropës vetëm në rrjetin e tyre. Gjithashtu, rrjetet jo-Tesla, si stacionet CCS dhe Chademo, gjenden në gjithë Evropën”, tha ai.

Wakker deklaroi se, përveç çështjeve teknike, ajo duhet të marrë në konsideratë edhe vështirësi të tjera, të tilla si produktet për shtëpinë dhe problemet e gjumit.

Pavarësisht, udhëtimi i Licypriya-s do të jetë kritik në përhapjen e automjeteve elektrike, pasi do të dëshmojë se udhëtimi nga India në Britani me një makinë të tillë tashmë është i mundur, shtoi ai.

“Ajo mund t’i tregojë botës se lëvizshmëria e qëndrueshme është një mënyrë e qëndrueshme e transportit dhe do të përshpejtojë adoptimin e makinave elektrike”, theksoi Wakker.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb