Marius Borg Høiby, djali i princeshës së kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, do të mund të rikthehet në shtëpi nën masën e arrestit shtëpiak, në mënyrë që të jetë pranë nënës së tij gjatë rikuperimit pas një transplanti të mushkërive. Høiby, 29 vjeç, kishte qëndruar në burg pas një vendimi të shkallës së parë, ku u shpall fajtor për dy raste përdhunimi dhe për dhunë në familje ndaj një ish-partnereje. Ai ka apeluar vendimin dhe çështja do të shqyrtohet sërish në një proces të ri gjyqësor.

Pas rreth një muaji në paraburgim, autoritetet norvegjeze kanë vendosur një masë alternative sigurie, duke e lejuar atë të largohet nga burgu dhe të qëndrojë në arrest shtëpiak. Si pjesë e kushteve të vendosura, Høiby do të monitorohet me anë të një byzylyku elektronik.

Një nga argumentet e paraqitura për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet me gjendjen e rënduar shëndetësore të princeshës Mette-Marit, e cila ndodhet në fazën e rikuperimit pas transplantit të mushkërive.

“Familja ime ka kaluar një periudhë shumë të vështirë. E gjithë familja është pranë nënës sime”, deklaroi Høiby për transmetuesin publik norvegjez NRK.

Ai shtoi se pamundësia për të qenë pranë dhe për të ndihmuar nënën e tij në këtë periudhë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë.

Marius Borg Høiby është djali i madh i princeshës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, përpara martesës së saj me princin e kurorës Haakon të Norvegjisë. Ai nuk ka status zyrtar si pjesëtar i familjes mbretërore norvegjeze.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: