TIRANË- Gjykata e Lartë lë të lirë ish-Kreun e Tatimeve në Tiranë, Androkli Kokthi, i cili u akuzua për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kthente mallrat e sekuestruar ndaj bizneseve në këmbim të parave.

Më herët Gjykata e Apelit kishte vendosur për të masën arrest shtëpie, por Gjykata e Lartë e ka lënë të Lirë.

Androkli Kokthi është arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës nisur në janar të këtij viti, 41­vjeçari Kokthi ka shkelur ligjin duke i kthyer një subjekti tregtar mallin e konfiskuar. Edhe pse malli me vlerë 4 milionë lekë të reja, ishte dërguar në magazinat e Rezervave të Shtetit në mars të vitit 2015, drejtori i Tatimeve Tiranë me anë të një shkrese ka urdhëruar lirimin nga konfiskimi të mallit dhe kthimin e tij subjektit privat që i ishte gjetur malli pa faturë.

Kokthi në këtë mënyrë ka vepruar tërësisht në kundërshtim me ligjin, pasi malli i konfiskuar nuk mund të rikthehet, por vetëm mund të blihet nga subjektit, të cilit i është gjetur pa faturë. Po ashtu, në bazë të procedurave administrative dhe atyre tatimore, një urdhër administrativ i nxjerrë nga një organ më i lartë, nuk mund të shfuqizohet nga një organ më i ulët. Në rastin konkret, Drejtori Rajonal ka shfuqizuar urdhrin e konfiskimit të institucionit epror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: