Analisti politik nga Kosova Artan Muhaxhiri në një lidhje live në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për akuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për krime lufte, tha se lajmi në Prishtinë ishte tronditës.

“Lajmi i sotëm ishte tronditës e shokues. Të gjithë po prisnim për bisedimet në Uashington, prisnim se çfarë do të na dhurojë Amerika dhe ky lajm erdhi si bombë atomike mediale, sepse nuk kishte indicie. Ishte problem edhe juridik, sepse Gjykata Speciale tha se akuza nuk është e konfirmuar. Mundet që edhe të mos konfirmohet. në komunikatë thuhej se ‘Thaci dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre mbi qytetarët” e kjo ishte e rëndë”, tha Muhaxhiri.

Artan Muhaxhiri theksoi se akuzat mund të jenë politike, pasi ata janë bërë publike vetëm tre ditë para se Hashim Thaçi të shkojë në Uashington për bisedime me Serbinë.

“Akt-akuza ishte dorëzuar që në prill dhe është publik tani, 3 ditë para takimeve në SHBA. Mund të jetë edhe si hakmarrje, që i janë trembur një zgjidhje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe më herët Gjykata Speciale ka dhënë vendime dilitante. Është qasje jo-serioze e Gjykatës Speciale ndaj një presidenti. Specialja po vepron në një mënyrë shokuese. Albin Kurti po ashtu ka qenë kundërshtar i Gjykatës Speciale. Kurti edhe pse është kundërshtar i Thacit, ka qenë për të zhbërë Specialen”, u shpreh Muhaxhiri.

Analisti vlerësoi se Thaçi, me të mirat dhe të këqijat e tij, ka qenë një aktor kyç politik në Kosovë dhe mos-pjesëmarrja e tij në bisedimet me Beogradin mund të ketë pasoja.

“Hashim Thaci ka qenë personi që shkonte në raunde bisedimesh, ka pasur edhe eksperiencë në dialogun me Serbinë. Me gjithë të këqijat e të mirat e tij, Thaci është aktor kryesor politik në Kosovë. Marrëveshja është e vështirë të finalizohet pa të. Nëse gjykata konfirmon akuzat, Thaci besoj se do të jepte dorëheqjen”, tha ai.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb