DURRES-Kandidati i Partisë socialiste për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako ju përgjigj sot akuzave për manipulim të numrit të zgjedhësve në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Gjatë prezantimit të tij para qytetarëve Dako theksoi se çdokush ka të drejtë të lëviz i lirë.

Duke ironizuar deputetin demokrat Edmond Spaho, Dako u shpreh: “Sot po dëgjoja një deputet që nuk ja di as emrin, një Spaho aty, për transferime etj.. e drejta kushtetuese për të lëvizur lirshëm është që në vitet 90, nga kjo e drejtë ka përfituar edhe rivalja ime e cila para ca vitesh u regjistrua në bashkinë e Durrësit, nga kjo e drejtë ka përfituar edhe Federata e futbollit, kane përfituar edhe persona të sjellë nga kandidati i vetëshpallur republikan, edhe ai ka sjellë…unë ju garantoj se vota është një, është e fshehtë, dhe ajo është në drejtimin e duhur, është për koalicionin e Shqipërisë Europiane.”- u shpreh Dako.

Më vonë në një postim në facebook Dako shkruan se Parti Demokratike është zënë në panik nga humbja e pritshme në 21 qershor. Teksa ka komentuar deklaratën e Edmond Spahos Dako shkruan se PD po tenton të hedhë baltë mbi fushatën e mazhorancës. Dako thekson se distancohet nga çdo akt jo ligjor.
“Me keqardhje jam njohur sot me deklaratën e dëshpëruar të Partisë Demokratike, e cila e zënë në panik nga humbja e pritshme në 21 qershor, tenton të hedhë baltë mbi fushatën e Aleancës për Shqiperinë Europiane dhe timen si Kryetar Bashkie në qytetin e Durrësit.
Dëshiroj të distancohem plotësisht nga çdo akt joligjor që synon të deformojë vullnetin e votuesve në zgjedhje dhe i bëj thirrje çdo institucioni për të hetuar dhe gjetur përgjegjësit në rast të çdo shkelje ligjore.

Nga ana tjetër, shpresoj që shifrat e përmendura sot nga Partia Demokratike, nëse vërtetohen të sakta, të mos jene rikthimi në Durrës i qindra votuesve durrsake që në vitin 2011 u detyruan nga qeveria e Sali Berishës të shpërnguleshin në Tiranë për t’i dhënë me pahir mandatin e kryebashkiakut Lulzim Bashës. Nëse do të ishte ky rasti, atëhere do të kishim sot, plotë katër vjet më pas, nje tjetër provë të manipulimit zgjedhor të kryer nga Partia Demokratike në Tiranë katër vjet më parë.
E vërteta është se kam dëgjuar edhe une raste të spostimeve të tilla, të cilat përkonin me harkun kohor kur kandidati i vetshpallur i Partisë Repubikane filloi fushatën e lënë përgjysëm për të garuar kundër meje, duke përdorur punonjesit e Federatës së Futbollit, të cilët kanë zgjedhur të shpërngulen duke u regjistruar si banorë të Shijakut, Rrashbullit, Sukthit dhe Durrësit.

Por, duke qenë i qetë në ndërgjegjen time të pastër dhe i bindur në fitoren tonë të thellë, nuk jam prirur t’i besoj thashethemeve të zakonshme në prag të çdo fushate zgjedhore.
Duke i bërë thirrje edhe një herë të gjitha institucioneve përgjegjëse për të hetuar dhe zbardhur të vërtetën e pretendimeve të Partisë Demokratike, nënvizoj faktin se edhe vet kandidatja e opozitës që garon përballë meje për Bashkinë e Durrësit, ka përfituar nga e njëjta procedurë dhe është spostuar rishtasi në Durrës nga Tirana me pretendimin se banon këtu në shtepinë e një familjari.”- shkruan Dako ne facebook.

Deputeti i PD-së Edmond Spaho në një deklaratë për mediat denoncoi sot skemën sipas te cilit, Dako po manipulon zgjedhjet. “Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit”,- tha Spaho.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: