Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar më 7 shtator, në orën 09:30, seancën e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili po përballet me akuzat për “spiunazh” dhe “shantazh”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se ka vepruar në ndihmë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), në koordinim me zyrtarin e saj, Bojan Dimiq.
Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe materiale mbi aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Një nga episodet kryesore të përshkruara në aktakuzë lidhet me 26 shtatorin 2025, kur Sheholli dyshohet se ka marrë në Mitrovicën e Veriut një dosje me materiale audio, transkripte dhe 5 mijë euro. Sipas Prokurorisë, materialet më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro, me qëllim publikimin e tyre.
Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, janë gjetur komunikime me një numër që i atribuohet Bojan Dimiqit. Prokuroria përmend gjithashtu një dokument të titulluar “Top Secret 2”, të cilin e konsideron pjesë të një plani për krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar dhe për destabilizimin e saj.
Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmeni, të cilit, sipas Prokurorisë, dyshohet se i ka shkaktuar dëm prej më shumë se 13 mijë eurosh, përmes kërcënimeve për publikimin e materialeve komprometuese.
Sheholli i ka mohuar akuzat, duke pranuar kontaktet me Dimiqin dhe marrjen e disa materialeve e parave, por duke mohuar se ka punuar për BIA-n apo kundër interesave të Kosovës. Ai gjithashtu ka mohuar akuzën për shantazh.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, ndërsa si prova janë përfshirë përgjime, komunikime telefonike, video-incizime, pamje nga kamerat e sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi dhe raporte financiare.
Seanca e parë do të mbahet më 7 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Sheholli prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
