Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Jellena Gjukanoviçin, për akuzën e spiunazhit. Gjukanoviç ishte e pranishme në gjykatore në shpalljen e aktgjykimit ndaj saj. Jellena Gjukanoviq u arrestua në shkurt të vitit 2025 dhe aktakuza ndaj saj u ngrit në shtator të po atij viti. Ajo ka mohuar fajësinë, teksa Prokuroria Speciale e Kosovës në fjalën përfundimtare të mbajtur javën e kaluar kërkoi dënim prej 25 vjetësh burgim.
Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim. Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator të vitit të kaluar. Në aktakuzë thuhet se ajo ka transmetuar informacione tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, gjatë gjykimit ka thënë se Gjukanoviq kishte qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj. “Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, ka deklaruar ai. Sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s. Prokuroria ka thënë se Gjukanoviq ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Prokurorisë Speciale, Gjukanoviq ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë. Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia. Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe. Ekspertët kanë thënë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës./REL
