Të paktën 125 gra janë vrarë në Gjermani gjatë vitit 2026, nga burra me të cilët kishin ose kishin pasur marrëdhënie intime. Shifrat kanë rikthyer në qendër të debatit fenomenin e femicidit dhe dhunës me bazë gjinore, ndërsa autoritetet gjermane po shqyrtojnë ndryshime ligjore për të ashpërsuar trajtimin penal të këtyre krimeve.

Sipas aleancës Keine\Mehr, 126 gra të tjera i kanë mbijetuar tentativave për t’u vrarë gjatë vitit 2025. Organizata ka bërë thirrje për protesta më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke kërkuar më shumë masa për mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve.

Ndërkohë, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) nuk e regjistron femicidin si një vepër penale më vete. Sipas të dhënave të saj, gjatë vitit 2025, 209 gra humbën jetën si pasojë e dhunës në familje, ndërsa 130 prej tyre u vranë nga partnerët aktualë ose ish-partnerët. Në total, 292 persona humbën jetën si pasojë e dhunës në familje.

Përballë kësaj situate, në Gjermani është ngritur një grup pune mes qeverisë federale dhe landeve, i cili po harton një përkufizim të femicidit dhe synon krijimin e një sistemi të posaçëm për mbledhjen e të dhënave mbi këto raste.

Ministrja Federale e Drejtësisë, Stefanie Hubig, ka paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal, me synimin që vrasjet e grave për arsye gjinore të trajtohen më ashpër nga drejtësia.

“Pothuajse çdo ditë në Gjermani një burrë vret partneren ose ish-partneren e tij, ose përpiqet ta bëjë këtë”, është shprehur Hubig për gazetën Bild am Sonntag.

Sipas projektligjit të raportuar nga media gjermane, motivet specifike gjinore dhe motive të tjera çnjerëzore duhet të përfshihen shprehimisht në rrethanat rënduese të veprës penale të vrasjes.

Femicidi lidhet veçanërisht me rastet kur një burrë vret një grua sepse ajo dëshiron t’i japë fund marrëdhënies, refuzon të jetë nën kontrollin e tij apo kërkon të marrë vendime të pavarura për jetën e saj.

Deri më tani, një pjesë e rasteve të vrasjes së grave janë klasifikuar nga gjykatat si vrasje nga pakujdesia, megjithëse bëhet fjalë për vepra të qëllimshme. Ndryshimet e propozuara synojnë që motivet gjinore të vlerësohen më qartë në përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe dënimit.

Hubig ka theksuar se gratë duhet të jenë të sigurta nga dhuna dhe sulmet, pavarësisht vendimeve që marrin për jetën e tyre. Ajo e ka cilësuar dhunën ndaj grave si një problem të përhapur në Gjermani, që shfaqet në marrëdhëniet intime, familje, hapësira publike dhe mjedisin dixhital.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb