Princi Albert i Monakos, është i sëmurë me koronavirus për herë të tretë që nga shpërthimi i pandemisë. 64-vjeçari gjakblu, i cili së fundmi kishte vizituar Greqinë për të marrë pjesë në funeralin e ish-mbretit Kostandin, rezultoi pozitiv me koronavirus të martën, më 24 janar, sipas njoftimit të pallatit. Në të njëjtin njoftim thuhet se gjendja e Princit Albert nuk përbën shqetësim pasi princi është asimptomatik dhe ende punon në distancë.

Ai ishte infektuar me koronavirus për herë të parë në fillim të pandemisë, në mars 2020 dhe në fakt, ishte kreu i parë i shtetit që rezultoi pozitiv me sëmundjen Covid 19. Në prill 2022, bashkëshorti i Princeshës Charlene u diagnostikua pozitiv me koronavirus për herë të dytë.

“Ai punon nga distanca dhe është në kontakt të përhershëm me anëtarët e kabinetit të tij, qeverinë e tij si dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë”, thuhet në deklaratën e pallatit. Sipas gazetës Monaco Matin, izolimi i Albertos sipas rregullave të zbatueshme për sëmundjen Covid 19 e detyroi atë të mos merrte pjesë në galanë e mbajtur mbrëmjen e së martës për 45 vjetorin e Festivalit Ndërkombëtar të Cirkut në Monte Carlo. Është një festival vjetor që u krijua në 1974 nga babai i Albertit, Princi Rainier i Monakos. Pas vdekjes së tij, në 2005, Princesha Stephanie, motra më e vogël e Albertit, është vënë në krye të organizatës.

Princi Albert do të mungojë gjithashtu në festimet tradicionale për Saint Devota, shenjti mbrojtës i principatës së pasur, të cilat zhvillohen çdo vit më 26 janar.

Mbetet e paqartë se si Charlene do ta festojë ditëlindjen sot, me 25 janar, kur Princesha e Monakos mbush 45 vjeç. Mungesa e ish-kampionit të notit të Afrikës së Jugut në aktivitetet e Festivalit Ndërkombëtar të Cirkut që nisi në Monte Carlo më 20 janar, nuk kaloi pa u vënë re nga mediat franceze.

Në eventet e festivalit të përvitshëm morën pjesë të gjithë gjakblutë e Monakos, teksa Princi Albert u shfaq me fëmijët binjakë 8-vjeçarë të çiftit, Princin e Kurorës Jacques dhe Princeshën Gabriella, por pa bashkeshorten Charlene.

Revista franceze Gala në një raport të lidhur thekson se mungesa e Charlene në festivalin e rëndësishëm vjetor Monegasque nuk ka kaluar pa u vënë re. Në fakt, në vend të gruas së tij, Alberto u shoqërua në festival nga mbesa e tij, Camille Gottlieb, vajza e princeshës Stephanie. Është fakt se Charlene e Monakos u “zhduk” sërish nga vëmendja pas festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ku kishte ndjekur eventet zyrtare të principatës së bashku me Albertin me fëmijët e tyre.

Princesha bjonde u rikthye në jetën publike majin e kaluar pas një mungese disamujore në vendlindjen e saj Afrikën e Jugut. Pas kthimit në Monako në fillim të nëntorit 2021, Charlene shkoi në Zvicër, ku u shtrua në një klinikë të shëndetit mendor dhe qëndroi deri në fund të prillit të të njëjtit vit. Në maj të vitit të kaluar, princesha u rikthye plot energji në jetën publike të Monakos, ndërsa në një intervistë për gazetën Monaco Matin, deklaroi se familja është “shkëmbi” i saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb