Një buzëqeshje më e madhe, një pamje e re, kilogramë më pak dhe mbi të gjitha më shumë vetëbesim. Në rrjetet sociale po bëhet gjithnjë e më viral fenomeni i njohur si “divorce glou-up”, përmes të cilit gra të shumta tregojnë transformimin e tyre pas përfundimit të martesës, duke krahasuar pamjen dhe gjendjen e tyre gjatë lidhjes me jetën e re pas divorcit.
Tendenca, e cila nisi të fitonte popullaritet në fund të vitit 2025, tashmë është shndërruar në një fenomen më të gjerë se videot e zakonshme të transformimit. Festa për divorcin, ftesa të personalizuara, bluza me mesazhe ironike dhe postime që festojnë rikthimin në jetën si beqare janë bërë pjesë e një kulture të re që e sheh fundin e martesës jo vetëm si një ndarje, por edhe si një mundësi për të nisur nga e para.
Por a është vërtet divorci një formulë për një jetë më të mirë dhe një transformim personal?
Për këtë fenomen ka folur Kaamna Bhojuani, seksologe e certifikuar me studime në psikologjinë klinike, e cila në një artikull për Psychology Today analizon arsyet që mund të fshihen pas këtij ndryshimi. Duke folur edhe nga përvoja e saj personale si një grua e divorcuar, ajo thekson se ajo që fshihet pas fenomenit “divorce glou-up” nuk ka të bëjë thjesht me pamjen e jashtme.
Sipas saj, vëmendja duhet përqendruar te ndryshimet psikologjike dhe emocionale që mund të përjetojë një person kur largohet nga një marrëdhënie që e ka rënduar për një kohë të gjatë.
Në këto raste, ndarja mund të shënojë fillimin e një procesi të ‘marrjes së vetes’, të vetëbesimit dhe të lirisë për të bërë zgjedhje në përputhje me dëshirat personale.
