I ftuar në programin e përjavshëm “Dola te Ola” ishte aktori dhe regjisori i njohur Alfred Trebicka.

Teksa në studio u shfaq një fotografi nga premiera e filmit “Portreti i pambaruar”, Trebicka tha se ka qenë regjisor kasti dhe një nga aktorët e këtij projekti.

Ai tregoi se subjekti i filmit është bazuar në një histori të vërtetë, të viteve ’80.

“Në fakt janë 7 histori të djemve shqiptarë që patën guximin të dashuroheshin me vajzat e diplomatëve të huaj që ndodheshin në Tiranë. Njëra prej këtyre historive ishte me intriguesja dhe që sigurisht i përmblidhte të shtata”, tha Trebicka, teksa theksoi se mesazhi që ky film përçon është sfida që dashuria bën ndaj çdo lloj diktature, sado e egër qoftë ajo.

Ndërkohë për sa i përket titullit “Portret i pambaruar”, ai tha se heroi i filmit Arturi, një student për pikturë në Akademinë e Arteve, dashurohet me vajzën e ambasadorit italian dhe i bënte skica pafund. E teksa nisi të realizonte një portret për Clara Bellinit, ai mbeti i pambaruar pasi personazhi kryesor përfundoi në prangat e sigurisë së shtetit.

Trebicka tha se ky film është një romancë në diktaturë, ndaj mbyllet në momentin që personazhi kryesor përfundon në burg.

“Portret i pambaruar” është një film me regji të Namik Ajazit, dhe në program Alfred Trebicka tregoi se ata kanë filluar punën për një projekt tjetër shumë interesat që ka të bëjë me Revoltën e famshme të Spaçit në 1973.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb