Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin Medicus në News24, ka folur për rreziqet shëndetësore të stinës së verës, duke theksuar se temperaturat e larta dhe ekspozimi në natyrë mund të ndikojnë rëndë veçanërisht tek të sëmurët kronikë, fëmijët dhe të moshuarit.

“Temperaturat ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve me zemër dhe hipertension. Po ashtu, janë një rrezik për goditje nga i nxehti dhe duhet patjetër të shmangen daljet në oraret e pikut,” tha Alimehmeti. Ai shtoi se astmatikët gjithashtu përballen me përkeqësim të simptomave për shkak të pluhurit në natyrë.

I pyetur për rreziqet nga insektet, Alimehmeti tha se, edhe pse Shqipëria nuk ka një përhapje të gjerë të sëmundjeve të transmetuara nga to, herë pas here janë raportuar raste si ethet e Nilit Perëndimor. “Në raste të rralla, pickimet nga insektet si bletët apo zvarranikët mund të shkaktojnë edhe shok alergjik. Rekomandohet përdorimi i ultrakortenit dhe kontrolli i veshjeve apo këpucëve kur jemi në natyrë,” paralajmëroi ai.

Një tjetër shqetësim i verës, sipas mjekut, janë parazitët tek fëmijët, që shpesh shfaqen me kruarje dhe shqetësime gjatë natës. Ai theksoi rëndësinë e higjienës si mjeti kryesor për parandalimin e këtyre infeksioneve dhe problemeve sezonale.

Në fund, Alimehmeti dha një mesazh të qartë: “Shmangni nxehtësinë, tregoni kujdes me ushqimet dhe higjienën personale, dhe jini të vëmendshëm ndaj çdo shenje të pazakontë gjatë verës.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb