Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ambasada ka ftuar qytetarët që të tregojnë dashurinë e tyre për shtetin dhe familjen.
“Këtë ditë të Shën Valentinit tregoni dashurinë për shtetin dhe familjen tuaj. Votoni! E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, thuhet në postimin e ambasadës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke u zhvilluar me rregull dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“KQZ njofton se sipas planifikimeve në orët hershme, dhe në kohë është shpërndarë materiali i ndjeshëm në të gjitha qendrat e votimit. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orarin e paraparë. Procesi i votimit është duke vijuar normalisht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

Qendrat e votimit u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Elezi tha se janë rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar procesin zgjedhor.
KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Amb
Amb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb