Zbardhet takimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato që mbajti dje me kryetarin e Gjykatës së Posaçme, Erion Bani. Ka qenë ambasada që ka reaguar për takimin, ku theksohet se përveç vizitës për godinën e financuar nga BE së fundmi të rikonstruktuar, u diskutua edhe për rolin e drejtësisë në forcimin e besimit të publikut dhe rritja e standardeve, për të përmbushur standardet e BE.

Më tej theksohet edhe tematika e bisedës mes ambasadorit dhe kreut të GJKKO, ku vihet në dukje edhe investimi në infrastrukturën gjyqësore.

“Vizituam godinën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është financuar nga BE dhe së fundmi është rikonstruktuar për të përmbushur standardet më të larta të BE-së. Ne mirëpresim faktin që 80% e kostos së rikonstruksionit u financua përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara.
Gjatë vizitës, Kryetari në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, gjyqtari Erion Bani, dhe Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, diskutuan rolin e Gjykatës në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe në ruajtjen e standardeve të larta në vendimmarrje.
Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se përmirësimi i standardeve të infrastrukturës gjyqësore duhet të mbetet prioritet në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar siguri, transparencë dhe akses në drejtësi.”, shkruan ambasada.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: