Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka organizuar mbrëmjen e kësaj të premteje një pritje në nder të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, i cili ka nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri.

Eventi u zhvillua në një hotel në zonën e ish-Bllokut, nën masa të shtuara sigurie, ndërsa në listën e të ftuarve ishin rreth 130 persona.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndërsa pritja mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare, figura të politikës, ministra, drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe persona të afërt me aktivitetin e Ambasadës Amerikane.

Nga opozita morën pjesë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputeti Oerd Bylykbashi.

Në event ishte i pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Mes të ftuarve u panë gjithashtu ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe deputeti Bledi Çuçi, i cili drejton komisionin parlamentar për çështjet e brendshme dhe mbrojtjen.

Në pritje mori pjesë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Ai ishte ndër zyrtarët e parë të lartë që zhvilluan takim me ambasadorin Wendt pas mbërritjes së tij në Shqipëri.

Gjatë mbrëmjes, në aktivitet mbërritën edhe drejtues të tjerë të qeverisë dhe institucioneve. Ndër ta u raportuan ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro.

Pjesë e listës së të ftuarve ishin edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Në aktivitet mori pjesë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.

Berisha, mes mungesave të mbrëmjes

Një prej emrave që mungoi në pritje ishte kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Vetë Berisha kishte deklaruar më herët se nuk kishte marrë ftesë për aktivitetin e organizuar nga Ambasada Amerikane.

Pavarësisht mungesës së tij, pjesëmarrja e figurave të tjera të opozitës dhe mazhorancës e bëri pritjen një prej aktiviteteve diplomatike me përfaqësim të gjerë politik dhe institucional.

Pritja shënoi një tjetër moment publik në nisjen e detyrës së Eric Wendt si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas ceremonisë së dorëzimit të Letrave Kredenciale te Presidenti Bajram Begaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb