Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se ka qenë i nderuar të mirëpres në Prishtinë Sekretarin e Jashtëm të shtetit të tij, David Cameron.

Ai qëndroi për vizitë njëditore në Kosovë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryediplomaten Donika Gërvalla.

“Kjo ishte një vizitë e rëndësishme në një moment të rëndësishëm për të rikonfirmuar përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për sovraniteti, sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Abbott në rrjëtin social “X”.

Ai tutje ka thënë se pjesa me e madhe e kësaj vizite është fokusuar në takimet me liderët e shtetit dhe me vizitën që Sekretari Cameron ka bërë tek trupat e Britanisë së Madhe që janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Megjithatë ambasadori ka thënë se ndjehet i lumtur që Cameron pati edhe mundësinë të dëgjonte dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjeve të të zhdukurve si dhe të takohet me një të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ai dëgjoi nga dora e parë për rëndësinë e mbështetjes së qëndrueshme për të mbijetuarit dhe trajtimin e stigmës, si dhe nevojën urgjente për të zhbllokuar bashkëpunimin rajonal për personat e zhdukur për t’u siguruar familjeve të të zhdukurve një fund ngushëllues dhe llogaridhënie”.

Abbott ka përmendur edhe vizitën e Cameron në Manastirin e Graçanicës, duke thënë se aty është diskutuar për rëndësinë e mbrojtjes së rolit fetar të Kishës Ortodokse Serbe për komunitetin serb në Kosovë dhe rolin jetik të autoriteteve fetare në nxitjen e stabilitetit në të gjitha komunitetet në Kosovë.

Diplomati britanik që shërben në Kosovë në fund ka thënë se të gjithë këto takime nënvizojnë se pse në këtë kohë të vështirë globalisht, duhet parandaluar rikthimin e konfliktit në rajon.

“Të gjitha këto takime nënvizuan pse, në një kohë kaq të vështirë globalisht, ne duhet të parandalojmë rikthimin e konfliktit në rajon. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut. Siç e bëri të qartë Lord Cameron në takimet e tij, nuk ka alternativë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përveçse nëpërmjet dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura më parë”, ka përfunduar Abbott.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: