Sot paradite ambasadori i Gjermanisë ishte në bashkinë e Cërrikut ku mori pjesë në nisjen e punës te fusha e re e kompostimit. Qeveria Gjermane përmes GIZ ka mbështetur modernizimin e trajtimit të mbetjeve në Cërrik ku kjo Bashki gjeneron mesatarisht rreth 3000 tonë mbetje në vit, që trajtohen kryesisht përmes inceneratorit të Elbasanit.

Më shumë se gjysma e këtyre mbetjeve rezultojnë të kenë përbërje organike dhe të gjelbër, duke qenë se zona është tipike bujqësore. Programi “Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve të Ngurta dhe Ekonomia Ricikluese në respekt të Mjedisit në Shqipëri”, financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar nga GIZ, po mbështet Bashkinë Cërrik për modernizimin e shërbimit të trajtimit të mbetjeve. Falë kësaj mbështetjeje është përgatitur dhe miratuar plani i bashkisë për menaxhimin e integruar të mbetjeve që ka si objektiv modernizimin e shërbimit duke mundësuar ekonomi qarkulluese.

Plani synon që menaxhimi i mbetjeve të çojë në reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve, shmangien e landfilleve dhe reduktimin e sasisë së mbetjeve që trajtohen në incinerator. Në maj të këtij viti, Bashkia Cërrik nisi trajtimin e mbetjeve të gjelbra të bahçeve/fermave, serave dhe mbetjeve organike të familjeve në fushën e re të kompostimit, të ndërtuar me fondet e Qeverisë Gjermane, përmes GIZ. Kjo fushë redukton sasinë e mbetjeve që trajtohen në incinerator dhe mundëson ripërdorimin e materialit të kompostuar si pleh organik në bujqësi. Për të kryer trajtimin e mbetjeve, GIZ ka mbështetur Bashkinë Cërrik edhe me makineri të reja, si grirës, kthyes dhe kompresor për të përpunuar mbetjet e gjelbra dhe organike.
Aktualisht fusha e kompostimit operohet nga një skuadër prej 10 punonjësish të trajnuar me mbështetjen e GIZ-së, në mbikëqyrjen gjithashtu të ekspertit lokal të GIZ-së.

Mbështetje e mëtejshme do të ofrohet dhe për infrastrukturën dytësore që siguron grumbullimin e diferencuar të mbetjeve organike kudo në bashki.
Fusha përpunon mbetje organike përgjatë 7 muajve të vitit nga 12 gjithsej, mbetje të cilat vijnë nga fermat dhe material ushqimor si nga fermat ashtu edhe nga qyteti i Cërrikut. Sasia totale e mbetjeve të mbledhura dhe trajtuara që prej vënies së fushës në punë është rreth 400 tonë, prej të cilave është gjeneruar rreth 300 tonë material i kompostuar. Mbetjet janë mbledhur nga biznese të ndryshme dhe në hapësira publike, ndërsa së shpejti do të mblidhen edhe në shkolla dhe familje.

Plehu organik i përgatitur do të përdoret në hapësirat e gjelbra publike, për të përmirësuar gjelbërimin e qytetit. Në këtë mënyrë bashkia do të kursejë rreth 3000 Lekë/ton pleh, të cilat aktualisht i blen me prokurim tek të tretët. Për më tepër, duke qenë se Bashkia Cërrik njihet për numrin e madh të serave bujqësore dhe kompanive të duhanit, ato kanë shfaqur interes për të blerë plehun organik të prodhuar nga bashkia në këtë fushë kompostimi. Nga Cerriku ambasadori i Gjermanisë gjatë një deklarate për mediat komentoi edhe situatën aktuale politike në Shqipëri.

I pyetur për kohën kur do ndodhë çelja e negociatave me BE për Shqipërinë, ambasadori i Gjermanisë tha se kancelarja federale e ka bërë të qartë që të gjithë partnerët janë duke punuar dhe ne jemi optimistë përsa i takon kësaj çështje. Ndërsa për çështjen e rikthimit të vizave ju deklaroj se “për këtë pikë nuk kam asnjë koment dhe se nuk ka asnjë informacion konkret dhe duhet te presim derisa të ketë një informacion i saktë”, tha ambasadori.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkaq kryetari i bashkisë së Cerrikut Andis Salla e ka cilësuar mjaft të rëndësishme mbështetjen me projekte të GIZ dhe me këtë rast i ka shprehur ambasadorit mirënjohjen për gjithçka Qeverisë gjermane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb