NGA RUDINA HOXHA*
Ambasadori i Norvegjisë në Shqipëri dhe Kosovë, z. Jan Braathu, thekson në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” se, “marrëdhëniet Shqipëri-Norvegji nuk kanë qenë ndonjëherë më mirë se sot”. Ai zbulon se Norvegjia, me projektet e saj në fushën e energjetikës në Shqipëri, ka si qëllim final ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal energjetik me përfshirjen e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, taman siç bëri Norvegjia me vendet e tjera skandinave.
Gjithashtu, nga perspektiva e tij, z. Braathu mendon se Kosova dhe Shqipëria kanë shumë vend për bashkëpunim praktik. “Ka ende ‘fërkime’ në sistem si dhe disa procedura administrative që nevojiten të vihen në vend. Më lejoni të them atë që dëgjoj. Dëgjoj shumë ankesa nga ana e Kosovës. Dëgjoj se është shumë e vështirë për kompanitë kosovare të eksportojnë në Shqipëri dhe të punojnë në Shqipëri”, thotë ambasadori.
Z. Ambasador, çfarë ju solli kësaj here në Tiranë?
Erdha për fillimin e një projekti të ri në Shqipëri, që ne mendojmë se është shumë i rëndësishëm. Është një projekt që përfshin Ministrinë shqiptare të Ekonomisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë rreth liberalizimit dhe modernizimit të tregut shqiptar të energjisë. Projekti ynë ofron konsulentë të specializuar norvegjezë, të cilët do të bashkëpunojnë me autoritetet e qeverisë shqiptare. Qëllimi ynë final është të krijojmë një treg energjetik rajonal me pjesëmarrjen e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ky treg do të ndjekë modelin e Korporatës Nordike të Energjisë – NORDPOOL, e cila u shtri në Finlandë, Danimarkë, Suedi si dhe në vendet balltike me kalimin e viteve.
Sa kanë ndikuar investimet norvegjeze në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Norvegji?
Marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Norvegjisë nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot. Ato janë zhvilluar fort në fushën ekonomike. Aktualisht investimet norvegjeze përfaqësojnë investitorin e huaj më të madh në Shqipëri. Specifikisht po flasim për projektin e hidrocentralit të Devollit, një investim prej 600 milionë eurosh nga kompania shtetërore norvegjeze, ‘Statkraft’, i cili është një prodhues energjie. Unë isha së fundmi edhe në inaugurimin e punimeve të ndërtimit të projektit të Trans Adriatic Pipeline (TAP) në Çorovodë. Ky është gjithashtu një projekt ku është përfshirë Norvegjia. Konkretisht, kompania pjesërisht shtetërore norvegjeze, ‘Statoil’ zotëron 20 për qind të naftësjellësit. Do të jenë afërsisht 200 milionë euro për ‘Statoil’ në kuadrin e degës shqiptare të TAP. Pra, jemi indirekt të përfshirë në këtë projekt, jo në nivel qeverie, por kompanish. Patjetër që qeveria norvegjeze mbështet aktivitetet tregtare të kompanive të saj. Me një fjalë, kompanitë norvegjeze janë të përfshira dendësisht në zhvillimin e potencialeve energjetike në Shqipëri. Dhe kjo është e natyrshme, përderisa neve të paktën na pëlqen të konsiderohemi si një komb që prodhon energji. Pra, marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar janë të shkëlqyera.
Po kontaktet politike si po shkojnë?
Ne po i shtojmë kontaktet politike. Konkretisht, ministri i Jashtëm Shqiptar, z. Ditmir Bushati, vizitoi Oslon këto ditë. Ishte një vizitë e suksesshme dhe e dobishme. Takime bilaterale me homologët norvegjezë u mbajtën gjatë kësaj vizite. Më duhet të nënvizoj se ministri i Jashtëm norvegjez takon kolegët e tij shqiptarë në kontekstin e NATO-s dhe në takime të tjera, ku Norvegjia dhe Shqipëria janë të dyja anëtare. Ne jemi aleatë dhe ulemi në të njëjtën tavolinë në Këshillin e Atlantikut Verior. Edhe më parë, në 2011, kryeministri i atëhershëm, z. Sali Berisha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Norvegji. Pra, ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një ‘tërheqje’ ndaj njëri-tjetrit të një niveli të lartë.
Kam dëgjuar se Norvegjia është e përfshirë në zhvillimin e sektorit ICT në Shqipëri, një sektor që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. E vërtetë?
Po. Ne e kemi aplikuar një projekt të tillë në veriun e Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin “IPKO” në Kosovë. Është një projekt i bazuar në eksperiencën tonë të ngjashme të realizuar në Kosovë. Ky projekt quhet “Wiki Academy”. Dhe ideja e tij është të mësosh të rinjtë si të shkruajnë dhe të redaktojnë artikuj për “Wikipedia”. Ky është një objektiv tjetër që ne kemi për të kontribuar në ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në botë. Dhe “Wiki Academy” është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë gjë. Ajo që na ka befasuar është se fëmijët nga Kukësi treguan se janë kaq të zgjuar dhe të shkëlqyer. Kjo tregoi se këta fëmijë, megjithëse jetojnë në një vend të izoluar, kanë shumë talent. Rreth 32 shkrime u shkruan nga këta fëmijë dhe ato të gjitha gjenden në “Wikipedia” tanimë. Pra, tani “Wikipedia” ofron më shumë informacion për veriun e Shqipërisë. E rëndësishme është se këta fëmijë u inkurajuan të shkruajnë për situatën e tyre, për komunitetin që i rrethon, ekonominë, kulturën e të tjera si këto dhe ata e bëjnë një gjë të tillë në mënyrë të shkëlqyer.
Gjithashtu në këtë sektor, ne jemi duke përfunduar një program 4-vjeçar (mbaron në fund të 2015). Universitetet e Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës janë të përfshira në këtë projekt, që u jep mundësinë studentëve të shkojnë në Norvegji dhe të studiojnë në nivelet BA dhe MA. Kështu, ata pajisen me një arsimim të mirë në sektorin e ICT në Norvegji, ndërsa marrin edhe eksperiencë si praktikantë. Ne zgjodhëm sektorin e ICT meqenëse është i ri dhe dinamik si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Dhe ne shohim shumë potencial në këtë sektor.
Po në aspektin e integrimit europian të Shqipërisë, temë e ditës në vendin tonë, si po kontribuon Norvegjia?
Qëllimi ynë është të ofrojmë ndihmë në sektorë që do ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj drejt Europës. Kështu, ne kemi zgjedhur projekte që zhvillojnë kapacitetet institucionale. Për momentin, kemi dy projekte të mëdha që po zbatohen aktualisht në Shqipëri nga Autoriteti Shtetëror Norvegjez i Hartëzimit (Norwegian State Mapping Authority.) Projekti i parë ndihmon agjencinë kadastrale kurse i dyti ndihmon autoritetet shqiptare në hartëzimin e territorit detar të vendit. Kjo është e rëndësishme për ta bërë Shqipërinë të aftë të marrë pjesë në bashkëpunime rajonale për menaxhimin e detit në Adriatik. Deri më tani, Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një pjesëmarrje të plotë në iniciativa të tilla. Kjo ndikon edhe në proceset e integrimit europian. Gjithashtu, kemi projekte me shoqërinë civile, konkretisht në Vlorë, mbështesim prej disa vitesh një qendër të viktimave të trafikut njerëzor. Ne mbështesim gratë në parlament e politikë. Synimi ynë janë edhe të rinjtë dhe edukimi i tyre dhe në këtë aspekt kemi zgjedhur rajonin e Kukësit, sepse është pranë Kosovës dhe se rajone si Kukësi, Tropoja, Bajram Curri dhe Shishtaveci janë një zonë që nuk ka shumë vëmendjen e donatorëve të huaj. Me ta, ne zhvillojmë aktivitete të ndryshme për t’i mësuar sjelljen demokratike dhe përfshirjen e njerëzve në proceset integruese. Sepse ata janë administratorët dhe politikanët e ardhshëm të Shqipërisë.
Si ambasador i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë, si e shikoni bashkëpunimin midis këtyre dy vendeve, pra Kosovës dhe Shqipërisë?
Më lejoni të them atë që dëgjoj. Dëgjoj shumë ankesa nga ana e Kosovës. Dëgjoj se është shumë e vështirë për kompanitë kosovare të eksportojnë në Shqipëri dhe të punojnë në Shqipëri. Mendoj se autoritetet shqiptare janë në dijeni të disa prej këtyre sfidave. Volumi tregtar midis dy vendeve nuk është shumë i lartë. Në fakt, partneri tregtar rajonal më i madh i Kosovës është Serbia. Por mendoj se ka një potencial të madh në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ka ende ‘fërkime’ në sistem si dhe disa procedura administrative që nevojiten të vihen në vend. Në këto vitet e fundit, mendoj se ka më shumë përpjekje nga qeveritë e të dyja vendeve për më tepër bashkëpunim. Ndërsa mendoj se ka shumë vend për bashkëpunim praktik.
A e mbështesni miratimin e Gjykatës Speciale në Kosovë dhe nëse po, cilat janë argumentet tuaja në favor të saj?
Patjetër që e mbështes. Gjykata Speciale është një realitet i pashmangshëm për Kosovën. Tani themelimi i saj po vonohet nga parlamenti i Kosovës, i cili nuk miratoi amendamentin kushtetues nr:24. Kjo ishte për të ardhur keq, sepse e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Kosovës. Ne duhet të kuptojmë se Gjykata Speciale nuk është kundër kosovarëve ose kundër përpjekjeve për pavarësi të Kosovës. Nuk është kundër UÇK-së si një organizatë. Gjykata Speciale nuk është një gjykatë etnike. Ajo do të trajtojë aludimet për krime, të bëra nga individët. Kështu duhet ta shohim këtë gjë. Më dëshpëron fakti që disa në Kosovë nuk e kanë kuptuar këtë fakt. E gjithë kjo ka të bëjë me drejtësinë, t’u japësh drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre. Drejtësia nuk ka të bëjë me etnicitetin, por ka të bëjë me veprimet. Këto aludime duhet të provohen. Mendoj se kjo është një çështje e vështirë, por disa njerëz po e bëjnë atë akoma më të vështirë. Në fund të fundit, pavarësia e Kosovës është projekti ynë gjithashtu. Ne duam që Kosova të bëhet një komb i suksesshëm dhe kjo është rruga. Ne jemi miqtë e Kosovës, jo armiqtë e saj.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
