Ambasadorja amerikane Yuri Kim në një intervistë në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ka dhënë një mendim për qeverinë aktuale të Ramës dhe për atë që mund të vijë pas 25 prillit.

Znj.Kim pranon se SHBA me qeverinë aktuale ka pasur dhe ka bashkëpunim të mirë, teksa nuk përjashton të njëjtën gjë edhe me qeveritë paraardhëse në Shqipëri.

Po ashtu ajo thekson se pavarësisht se çfarë ndodh më 25 prill dhe kush qeveri vjen, marrëdhënia Uashington-Tiranë do të mbetet e fortë dhe solide.

PJESË NGA INTERVISTA NË ‘’REAL STORY’’

Sokol Balla: Si e shihni punën e kësaj qeverie?

Ambasadorja Kim: Ç’doni të thoni?

Sokol Balla: A është vendi më mirë, më keq?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nga perspektiva e SHBA, kemi pasur bashkëpunim të mirë me këtë qeveri. Kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me qeveritë e mëparshme dhe jemi të kënaqur me këtë dhe shpresojmë e jemi të bindur, në fakt, që pavarësisht çfarë ndodh më 25 prill, për sa i përket marrëdhënies midis Uashingtonit dhe Tiranës, ajo do mbetet e fortë.

Sokol Balla: Për këtë jam i sigurt sepse shoh edhe nga pala tjetër, nga opozita, që pavarësisht çfarë ndodhi në 2019, në fund të ditës, u kthyen, e korrigjuan gabimin dhe ndikimi juaj, ndikimi juaj pozitiv është i dukshëm tek ata. Dhe nuk shoh ndonjë element që më parë rrezikonte marrëdhënien midis SHBA dhe PD apo LSI që të ketë ndonjë ndikim sot, çka është diçka e mirë. Çfarë prisni nga lëvizjet e reja politike? Mendoni se do kenë ndikim, nga pikëpamja zgjedhore? Sepse ka disa parti që kanë dalë.

Ambasadorja Kim: Nuk e di.

Sokol Balla: Përgjigje shumë e shkurtër. TV-të janë mbushur me sondazhe të ndryshme. Çfarë mendoni për to?

Ambasadorja Kim: Po, i shoh sondazhet, por e dini, sondazhet nuk janë vota. Ndaj mendoj se mund të shërbejnë si udhëzues për pritshmëritë por në fund, ajo që ka rëndësi është kush del të votojë më 25 prill dhe kë zgjedhin.

Sokol Balla: Unë jam bërë pjesë e një grupi që i sheh koalicionet e mëdha, ndoshta si të vetmen mënyrë, por ndoshta si mënyrën më të mirë për të kontrolluar egot politike dhe ulur koston e qeverisjes së një vendi të vogël. Po shtohen zërat se ka një mundësi që mund të bëhet realitet pas 25 prillit, që socialistët dhe democratët, ndoshta të kushtëzuar nga rezultati i ngushtë i zgjedhjeve, mund të shqyrtojnë mundësinë e formimit të një kabineti nga një koalicion i madh. A e shihni si mundësi apo si farsë të demokracisë?

Ambasadorja Kim: Nuk është vendi të komentoj unë.

Sokol Balla: Nuk jeni e përfshirë në këtë?

Ambasadorja Kim: Nuk është vendi të komentoj unë.

Sokol Balla: Dakord, kur thoni nuk është vendi të komentoni ju, do të thotë që nuk është vendi të komentoni nëse është diçka e mirë apo e keqe, dhe kjo do varet nga shqiptarët që do të vendosin?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është e padobishme që unë të spekuloj për çfarë mund të ndodhte në të ardhmen.

Sokol Balla: Pra jeni e fokusuar tek e tashmja?

Ambasadorja Kim: Jam e përqendruar për të siguruar që SHBA ofron të gjithë mbështetjen e mundshme që të arrijmë tek 25 prill në një mënyrë që ndërton besim dhe rezulton në një pasqyrim të saktë të asaj që duan shqiptarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb