NGA ENIDA HIMAJ
TIRANE- Pas 12 javësh spektakël, vajza nga Tirana nuk ia ka dalë të fitojë “Dancing With The Stars”. Ambra, edhe pse i dha shpirtin garës së kërcimit, shprehet se nuk mbeti e zhgënjyer, pavarësisht se kishte krijuar pritshmëri se do të ishte ajo fituesja. Në këtë intervistë ajo nuk harron pa vlerësuar edhe Dorina Memën, duke u shprehur se ishte një konkurrente e fortë, por jo më e mira. E duket se pas spektaklit, ajo do t’i rikthehet jetës së përditshme, mes shkollës dhe familjes së saj, në pritje të projekteve që mund të vërë në jetë.
Si ishte “Dancing With The Stars” për ju?
Ishte një eksperiencë e bukur që unë e shijova shumë. Është një format që gjithnjë e kam ndjekur dhe pëlqyer, ndaj të qenit pjesë e këtij super-projekti për mua ishte një ëndërr e bërë realitet. Fillimisht e mora si një spektakël që do ta shijoja, por me javët kuptova që po përmirësohesha dhe e shijoja pa fund çdo performancë.
A e kishit menduar se do të ecnit kaq shumë në këtë format?
Thashë, fillimisht mendoja vetëm ta shijoja dhe t’ia kaloja sa më mirë. Por më vonë njoha Ambrën që e dashuronte kërcimin dhe jepte maksimumin si në prova, ashtu edhe në spektakël. Fillimisht mendoja që të ecja mirë në javët e para, por pastaj mendoja finalen dhe, pse jo, kur mendon finalen mendon edhe fitoren. Pse jo, e kisha menduar veten edhe fituese.
Pse nuk fitoi Ambra?
Nuk di të them pse. Unë e di që jam votuar dhe publiku më ka mbështetur shumë. Kanë qenë rreth 300 vota për mua dhe e di që më kanë mbështetur që në fillim. Por nuk e di përse nuk isha unë fituesja.
A u zhgënjeve?
Nuk është se u zhgënjeva, pasi e dija që në fund fituesi vetëm një do të ishte, dhe mund të mos isha unë. Natyrisht që e kisha menduar fitoren dhe mbeta pak e shtangur kur nuk u thërrit emri im, megjithatë kjo është loja.
Mendoni se t’u bë një padrejtësi, a e meritonit ju fitoren?
Padrejtësi është një fjalë e madhe, por mendoj se e meritoja unë të fitoja. Thashë, është publiku ai që ka votuar dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta respektojmë, por unë isha, pa dyshim, ndër personat që i dha shpirtin asaj gare dhe e meritoja atë trofe.
Si e patë fitoren e Dorinës, a ishte një fitore e merituar?
Dorina ishte ndër konkurrentet më të mira, por jo sa për ta fituar.
Për çfarë i shërbeu “Dancing With The Stars” Ambrës?
Më shërbeu për shumë gjëra, në fakt. Fillimisht e shijova shumë si eksperiencë dhe bëra miq të rinj. Personazhet që dikur i shikoja në televizor dhe i adhuroja nga larg, sot janë miqtë e mi. Nga ana tjetër, njerëzit e njohën Ambrën jo vetëm si vajza që luftoi kancerin, por edhe si një femër të fortë, që di t’i përshtatet çdo sfide. Për mua ka qenë një ndër momentet më të mira në jetën time.
A keni marrë ftesë për të qenë pjesë e ekranit, a keni këto ambicie?
Deri më tani nuk më ka ardhur asnjë ftesë, pasi është ende herët. Pas “Dancing”, po merrem me shkollën, që e kisha lënë disi pas dore. Pas pak kohësh do të udhëtoj drejt Gjermanisë, ku kam dhe kontrollin e radhës. Më pas, nëse do të vijë ndonjë ofertë apo ftesë, janë të mirëseardhura.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
