Amnesty International i bëri thirrje të mërkurën Izraelit dhe Iranit të kursejnë civilët, ndërsa konflikti i tyre përshkallëzohet dhe alarmi rritet për numrin e të vdekurve.
“Ndërsa numri i vdekjeve dhe lëndimeve vazhdon të rritet, Amnesty International po u bën thirrje të dyja palëve të përmbushin detyrimet e tyre dhe të sigurohen që civilët në të dyja vendet të mos paguajnë më tej çmimin e veprimeve të pamatura ushtarake”, tha sekretarja e përgjithshme e grupit global për të drejtat e njeriut, Agnes Callamard.
Konflikti filloi të premten, kur Izraeli nisi një fushatë masive bombardimi që e shtyu Iranin të kundërpërgjigjej me raketa dhe dronë.
Irani tha të dielën se sulmet izraelite kishin vrarë të paktën 224 persona, përfshirë komandantë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe civilë. Që atëherë nuk ka lëshuar një numër të përditësuar viktimash.
Të paktën 24 persona janë vrarë në Izrael dhe qindra të tjerë janë plagosur, tha të hënën zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Përshkallëzimi i mëtejshëm i këtyre armiqësive rrezikon të shkaktojë pasoja shkatërruese dhe të gjera për civilët në të gjithë rajonin dhe më gjerë”, tha Callamard.
Ajo akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të G7-ës se nuk kanë njohur “ndikimin katastrofik që ky përshkallëzim do të ketë mbi civilët në të dy vendet”.
“Në vend që të brohorasin njërën palë në konflikt mbi tjetrën, sikur vuajtjet e civilëve të jenë thjesht një shfaqje anësore, shtetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e civilëve”, shtoi ajo.
Izraeli tha se fushata e tij ajrore e papritur kishte për qëllim parandalimin e Iranit nga pajisja me armë bërthamore – një ambicie që Teherani e mohon.