News 24 siguron draftin e qeverisë “Për amnistinë fiskale”. Me ligjin për deklarimin vullnetar të pasurisë qeveria synon të legalizojë të ardhurat në të zezë të bizneseve, individëve dhe emigrantëve.

Sipas projektligjit, të ardhurat e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë që kanë të ardhura nga krimi dhe korrupsioni nuk aministohen. Drafti u mundëson qytetarëve dhe bizneseve formalizimin e pasurive pa u justifikuar mënyrën se si janë krijuar këto të ardhura, duke u përjashtuar edhe nga ndjekja penale.


“Individët, personat fizikë dhe personat juridik, subjekte përfitues sipas parashikimeve të këtij ligji me pajisjen me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen ose poseidimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji, përjashtohen nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative si edhe nga ndekja penale dhe procedimi penal në kuadër të ligjit penal të zbatueshëm në Shqipëri për veprat penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligji”.

Do të jetë një strukturë e posacme që do të ngrihet pranë tatimeve për realizimin e amnistisë. Deklarimi vullnetar mund të bëhet pranë kësaj strukture ose pranë bankave të nivelit të dytë.

Hapi i parë është plotësimi i një formulari aplikimi në rastin e parave për depozitimin e shumës në një numër llogarie bankare të hapur për këtë qëllim. Më pas të dhënat verifikohen. Sipas draftit është propozuar që legalizimi i të ardhurave do të kryhet kundrejt një tatimi që do të paguajnë individët të ndarë në disa kategori.

Aminista do të zgjasë një vit. Të gjithë ata që do të deklarojnë brenda 4 muajve të parë pas hyrjes në fuqi të ligji tatimi do të jetë 5% i të ardhurave. Ata të cilët do të deklarojnë në 4 mujorin e dytë, tatimi do të jetë 7% dhe për ata që do ta lënë këtë proces në 4 muajit e fundit të amnistisë atëherë tatimi do të jetë 10%, pra dyfish më i lartë.

Ky tatim për deklarimin e pasurive vlen edhe për ato pasuri që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkasin emigrantëve apo individëve që jetojnë në vendin tonë. Burime për News 24 bëjnë të ditur se Ministria e Financave po konsultohet për draftin me Moneyval-in, Komitetin e Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, një organ ky monitorues i përhershëm i Këshillit të Europës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb