Kryeministrit Edi Rama nuk i ka dalë inati me Dhomat e Tregtisë që kanë kritikuar paketën e amnistisë fiskale të qeverisë, duke thënë se ‘ka kryetar dhomash tregtish që shesin toka, por tjetër i shesin dhe tjetër i shkruajnë faturat”.

Sipas Ramës është absurde që pikërisht këta individë të dalin kundër amnistisë.

FJALA E RAMËS:

Ka kryetar dhomash tregtish që shesin toka, por tjetër i shesin dhe tjetër i shkruajnë pronat. Dhe janë kundër amnistisë. Normal. Ky është thelbi. Ne për të shkuar në formalizim më të lartë kemi mundësi njerëzve ti themi të pastrojmë ato që janë nga 30 vjet. Dhe pastaj tu kërkojmë llogari ku e ke faturën. Pse ndodh sot që në një proces ordiner të një emigranti për të blerë një garsonierë në Durrës turret tërë dynjaja me prokurorë. Se ne nuk e kemi formalizuar paranë. Si mund të dyshojmë ne për shqiptarët që sjellin para në Shqipëri. Kjo është e padrejtë ta bëjmë në emër të luftës globale. Përderisa nuk kemi krijuar mundësi të legalizohet. Dhe s’kemi krijuar bazën se duhet t’i ndajmë. E vërteta është se ka shqiptarë të angazhuar seriozisht në organizata kriminale që janë armiq të organizatave ligjzbatuese të atyre vendeve dhe Shqipërisë, për të cilët s’ka amnisti as fiskale dhe as penale dhe ka shumë më shumë shqiptarë se ata, të cilët ato para duhet t’ia japin prokurorëve për gjoja hetime për pastrim i kanë nxjerrë me djersën e ballit. po përmend ballin për të mos përmendur pjesë të tjera, por kanë djersitur realisht shumë shumë shqiptarët. Dhe të vish të përballesh me gjithë këta qëne këtu që sillen si gjoja ligj zbatues, ky është minimumi i respektit.

Përfaqësuesja e Dhomës Turke të Tregtisë: E para nuk duhet ti përgjithësoni të gjitha Dhomat. Duhet të kuptoni skepticizmin e Dhomave të Biznesit. Ajo që na shqetëson ne si komitet është çfarë mekanizmash mbrojtjesh ke për ata që kanë investuar në 30 vite. Dhe a mos mendoni që të kanalizohen investitorët strategjikë, që këta të kanalizohen në zonat rurale?

Rama: Së pari, nuk janë të gjitha dhomat njësoj, por po i përmenda unë dhomat futemi në një situatë çik të komplikuar. Unë kam respekt për të gjitha dhomat dhe kuzhinat, por nuk mund të ekzistojë një dhomë tregtie reale që të thotë se është kundër amnistisë apriori. Mënyra si e ngrini ju çështjen është debat, janë argumente dhe njëherë unë them se ligji i amnistisë fiskale nuk është një ligj i thjeshtë,. Sigurisht që ka risqe, se mos të kishte risqe nuk do ishim këtu me partnerët për të diskutuar kaq gjatë, Kundërshtimi apriori është i papranueshëm. Të jeni të sigurt, se jo për shkak të këtyre anëtarëve të ndërruar të dhomës suaj, por për shkak të një sistemi që funksionon prej 30 vitesh dhe s’ka bërë asnjë formalizim të parasë që hyri në jetën e shqiptarëve në 1992 si mjet konkurrence, edhe anëtarët e dhomës tuaj do jenë shumë të kënaqur me amnistinë. Edhe pse ju s’do ta thoni dhe s’duhet ta thoni. Le të vijë një sipërmarrës shqiptar apo i huaj dhe të thotë nuk e dua unë këtë. Sepse është sistemi, jo kompania dhe pronari i saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb