Që prej muajit tetor kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Kosovë dy partitë që morën numrin më të madh të votave Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke vazhduan negociatat për formimin e një koalicioni qeverisës, por deri më tani negociatat nuk kane prodhuar ndonjë rezultat. Kreu i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka më pak se 15 ditë kohë për të formuar koalicionin qeverisës pas vendimit për të pranuar mandatin nga presidenti Hashim Thaçi.

Në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24, analisti Agon Maliqi duke shprehur pikëpamjet e tij mbi këtë proces shprehet se ky afat nuk është premtues, por jo i pamundur.

“Vetë fakti se kanë kaluar tre muaj pas zgjedhjeve, ideja fillestare ka qenë që Vetëvendosje dhe LDK ta formonin qeverinë relativisht shpejt sepse e tillë ishte klima, por ndërkohe që prej ditës së zgjedhjeve e deri më sot kanë ndodhur shumë gjëra dhe kryesorja që ka ndodhur është një humbje e thellë e besimit. mes palëve që ka prodhuar një lloj hezitimi të secilës palë për të bërë marrëveshje apo një lloj ngujimi në pozicione shumë të forta negociuese sepse të dyja palët po mundohen që në një farë forme, përveç faktit se i janë kthyer një rivaliteti historik dhe po shihet se ky nuk ka qenë vetëm koalicion i shpresës siç është quajtur në Kosove, por edhe koalicioni i zorit sepse janë bërë bashkë dy fuqi politike të ndryshme me ideologji të ndryshme, por rrethanat e caktuara po i çojnë në një lloj martese të detyruar, por tashmë palët në ditën e dasmës kanë filluar të shfaqin hezitimet dhe dyshimet te njëra tjetra”, shprehet Agon Maliqi për News24.

Diplomaticus Maliqi (2)
Diplomaticus Maliqi (2)

Sipas tij nga ana e LDK-së po bëhen përpjekje që të mos nënshtrohet, por të ketë pushtet të mjaftueshëm brenda qeverisë, jo detyrimisht për ta kontrolluar atë, por për të mos i lënë Vetëvendosjes të gjitha levat e rëndësishme të pushtetit ndërsa nga ana tjetër kemi Albin Kurtin i cili nuk ndihet edhe aq komod në ambiciet e tij për të hyrë në qeveri me një partner që është i barabartë në peshë.

“Albin Kurti duket se po heziton që të futet në një mandat ku nuk e ka nën kontrollin e vet asnjë instancë të rendit, ligjit, sigurisë. Ndoshta ka një lloj entuziazmi nga rezultati i zgjedhjeve ose një farë pritshmërie që Vetëvendosje meriton më shumë mirëpo pesha reale që ka në kuvend nuk ia lejon sepse ka vetëm një deputet më shumë. Këtu kemi hezitimin nga të dyja palët sepse nuk po e shohin atë si një lloj qeverie që mund të zgjasë gjatë gjithë mandatit dhe më shumë po mendojnë tani sesi t’ia lenë fajin tjetrit për dështimin e mundshëm të negociatave ose të arrijnë një lloj marrëveshje ku njëra palë të shihet si fituese dhe tjetra si humbëse dhe në një klimë të tillë është shumë e mundshme që të mos ketë marrëveshje ose Albin Kurti ta djegë këtë 15 ditësh që ka në dispozicion”, thekson ndër të tjera analisti Agon Maliqi për News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb