Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojë një takim me homologun e tij francez Emmanuel Macron, në Paris.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat serbe, të cilat raportojnë se kjo vizitë vjen në momente të vështira politikisht për Serbinë.

Në takim pritet të diskutohet në lidhje me disa tema si industria ushtarake, inteligjenca artificiale por edhe tema tjera nga fusha e ekonomisë.

“Dhe aty ku ka bashkëpunim ekonomik dhe çfarëdo tjetër, ka edhe politikë, kështu që do të diskutohet patjetër pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, rezoluta për Srebrenicën në OKB, raporti me Rusinë dhe integrimet evropiane”, shkruan Danas.

Në fjalimin e fundit për qytetarët, Vuçiç deklaroi se nuk pret shumë për sa i përket Këshillit të Evropës, sepse Macronit i “janë lidhur duart”, por beson se Franca do të shprehë qëndrimet miqësore për të ndihmuar me aq sa mundet.

Vuçiç ka deklaruar javën e kaluar se disa vende që e njohën pavarësinë e Kosovës mund të mos e mbështesin atë në Asamblenë Parlamentare dhe se nuk do të jetë vetëm Hungaria.

Por, a mund të jetë Franca njëra nga to?

Ish-ambasadori i Serbisë në Francë Radomir Dikliç thotë për këtë medium se Macron ka përgatitur një trajtim të veçantë për Vuçiçin këtë herë.

“Presidenti francez nuk pret shumë shpesh në darkë private. Të gjitha këto janë sinjale se Franca dhe Macron kujdesen për suksesin e vizitës. Nëse Vuçiç mendon se Franca do ta mbështesë Serbinë në OKB ose se do të jetë kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, mendoj se gabon. Këto janë tema rreth të cilave ka një konsensus brenda Bashkimit Evropian dhe është e vështirë të imagjinohet se Franca do të jetë ajo që do të shkelë konsensusin”, citon Danas Dikliçiçin.

Kujtojmë se Serbia ka filluar një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës madje ka ngritur edhe ekip special për këtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb