Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan një telefonatë ‘të tensionuar’ lidhur me krizën në Iran dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve të Axios dhe The Wall Street Journal, biseda mes dy liderëve ishte “e gjatë dhe e vështirë”, me mosmarrëveshje të forta mbi mënyrën se si duhet trajtuar Teherani.

Trump duket i gatshëm t’i japë më shumë kohë diplomacisë dhe negociatave, ndërsa Netanyahu mbetet skeptik ndaj çdo marrëveshjeje me Iranin dhe favorizon vazhdimin e presionit ushtarak.

Presidenti amerikan deklaroi para gazetarëve se Netanyahu “është një njeri shumë i mirë” dhe shtoi se “ai do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë”, duke theksuar se të dy ndajnë të njëjtin qëndrim për Iranin.

Sipas Axios, ndërmjetës ndërkombëtarë po punojnë për një “letër qëllimi” që mund të nënshkruhet nga SHBA-ja dhe Irani, me synim ndalimin formal të luftës dhe hapjen e një periudhe 30-ditore negociatash mbi programin bërthamor iranian dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Në procesin e ndërmjetësimit janë përfshirë Katari, Pakistani, Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti.

Nga ana tjetër, Netanyahu besohet se kundërshton marrëveshjen, duke argumentuar se objektivat ushtarake kundër Iranit nuk janë arritur ende dhe se Teherani duhet të përballet me presion më të madh.

Trump zbuloi gjithashtu se kishte pezulluar rifillimin e operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit për t’i lënë hapësirë diplomacisë.

“Nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka do të lëvizë shumë shpejt. Jemi gati”, paralajmëroi ai.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike paralajmëroi SHBA-në për “pasoja serioze” nëse sulmet rifillojnë, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta mes kërcënimeve ushtarake dhe përpjekjeve për armëpushim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb