Një nxënëse 17-vjeçare ka humbur jetën pas një sulmi me shpatë në shkollën e mesme Brinell, në qytetin Fagersta, në Suedinë qendrore. Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, ndërsa autoritetet suedeze konfirmuan sot vdekjen e të resë.

Sipas policisë, një 18-vjeçar i armatosur me shpatë sulmoi ambientet e shkollës, duke vrarë 17-vjeçaren dhe plagosur tre persona të tjerë, përpara se të arrestohej. I dyshuari ndodhet aktualisht në paraburgim.

Policia bëri të ditur se efektivët gjetën trupin e pajetë brenda kompleksit shkollor pasi kishin neutralizuar dhe arrestuar autorin e dyshuar.

Dy djem, 12 dhe 17 vjeç, mbetën të plagosur rëndë, ndërsa një person i tretë pësoi dëmtime, shkalla e të cilave ende nuk është bërë e ditur.

Hetimet vijojnë

Autoritetet suedeze kanë nisur një hetim të gjerë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmit.

“Hetimi policor po vazhdon me shpejtësi të plotë. Janë kryer veprime të shumta hetimore dhe hetimet janë duke vazhduar me qëllim përcaktimin e renditjes së ngjarjeve me saktësinë më të madhe të mundshme”, njoftoi policia.

Pas ngjarjes, qytetarët kanë vendosur lule dhe qirinj pranë shkollës në shenjë nderimi për viktimat.

Në vendngjarje mbërritën edhe kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe liderja e opozitës socialdemokrate, Magdalena Andersson, të cilët shprehën solidaritet me familjet e viktimave dhe komunitetin e shkollës.

Nxënësja Minea, e cila ndjek mësimet në shkollën e mesme Brinell, tha për televizionin suedez SVT se kishte shkuar pranë shkollës për të nderuar viktimat e sulmit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb