Media prestigjioze amerikane, Fox News i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme situatës politike në Shqipëri, pas nisjes së revoltës studentore me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Prej 16-të ditësh studentët dhe të rinjtë e të rejat kanë mbushur rrugët e Tiranës.

Fox News publikoi edhe letrën e 2 kongresmenëve republikanë, Joe Wilson dhe Keith Self drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku i kërkohej të shqyrtohej pezullimi i vizave për zyrtarët e korruptuar shqiptarë si dhe një përditësim për çështjen e Belinda Ballukut e akuzuar nga SPAK për korrupsion.

Trazirat në Shqipëri vijnë në një kohë kur vendi ka kohë që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky proces nisi në vitin 2014, kur Shqipëria mori statusin zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim, shkruan Fox News.

Megjithëse raporti vjetor i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerësoi se Shqipëria kishte shënuar përparim të konsiderueshëm në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar, akuzat e vazhdueshme për korrupsion ndaj qeverisë Rama dhe dhuna e tanishme mund ta ndërlikojnë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Protestat studentore në Shqipëri ngjajnë me protestat masive që u zhvilluan në Serbinë fqinje, ku një lëvizje politike e mbështetur nga studentët rrëzoi nga pushteti partinë e udhëheqësit jetëgjatë Aleksandar Vuçiç.

“Humbja e Vuçiçit përballë një lëvizjeje të mbështetur nga studentët, pas gati dy vitesh demonstrata kundër korrupsionit dhe në kërkim të llogaridhënies së qeverisë, përbën një paralele të fortë me trazirat që po përball Edi Rama në Shqipëri, ku protestat kanë vijuar prej më shumë se 150 ditësh”, deklaroi për Fox News Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB dhe në Shtetet e Bashkuara.

“Në Shqipëri, studentët dhe qytetarë të tjerë po protestojnë që prej muajit maj, ndërsa vala e fundit e protestave të përditshme ka intensifikuar kërkesat për dorëheqjen e një kryeministri që qeveris prej më shumë se 13 vitesh, në kushtet e korrupsionit të përhapur dhe përkeqësimit të shërbimeve publike”, shtoi Nesho.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb