Rusia e ka zhvendosur fokusin e luftës së saj në Ukrainën lindore, pas një sërë pengesash veçanërisht rreth kryeqytetit, Kievit. Kjo shtytje në zonën e njohur si Donbas mund të sinjalizojë një konflikt më të zgjatur, thotë SHBA.

Çfarë do t’i duhej Vladimir Putinit përpara se të mund të pretendonte qëllimin e tij për “çlirimin” e zemrës së vjetër industriale të Ukrainës dhe a është e mundur të realizohet kjo?! Forcat ruse kanë shkaktuar tashmë një katastrofë humanitare në lindje, duke e kthyer Mariupolin në gërmadha, por nuk kanë arritur të shkaktojnë humbje në ushtrinë e Ukrainës. Duke paralajmëruar një sulm të ri në lindje, Presidenti Volodymyr Zelensky u zotua: “Ne do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë”.

Pse Putini dëshiron të kontrollojë Donbasin

Presidenti rus ka bërë vazhdimisht akuzat e pabaza se Ukraina ka kryer gjenocid në lindje. Kur filloi lufta, dy të tretat e rajoneve lindore ishin në duart e Ukrainës. Pjesa tjetër drejtohej nga separatistët, të cilët krijuan shtete të mbështetura nga Rusia gjatë një lufte që filloi tetë vjet më parë. Nëse Rusia do të pushtonte të dy rajonet e mëdha, atëherë hapi tjetër mund të ishte aneksimi i tyre, ashtu siç bëri me Krimenë në 2014.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kur Presidenti Putin flet për Donbasin, ai i referohet zonës së vjetër të prodhimit të qymyrit dhe çelikut të Ukrainës. Por ai me të vërtetë nënkupton tërësinë e dy rajoneve të mëdha lindore, Luhansk dhe Donetsk, të cilat shkojnë nga jashtë Mariupolit në jug deri në kufirin verior. Këto zona mund të jenë gjerësisht rusisht-folëse, por ato nuk janë më pro-ruse, raporton BBC. “Mariupol ishte një nga qytetet më pro-ruse në Ukrainë”, thotë specialisti i mbrojtjes Konrad Muzyka, kreu i Rochan Consulting.

Javën e kaluar, Rusia pretendoi se kishte marrë kontrollin e 93% të rajonit të Luhanskut dhe 54% të Donetskut. Forcat ruse po përpiqen të rrethojnë ushtrinë e Ukrainës në lindje. Ata kanë marrë kontrollin e Izyum – një qytet strategjik në rrugën midis qytetit të dytë të Ukrainës Kharkiv dhe zonave separatiste – dhe kanë bombarduar një sërë qytetesh të Luhansk, duke përfshirë Rubizhne, Lysychansk, Popasna dhe Severodonetsk, duke shkatërruar blloqe banesash dhe duke vrarë civilë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: