Përmes dy romanësh që i flasin publikut, shkrimtari Andrej Kurkov, kërkon të zgjojë shoqërinë jo vetëm nga nostalgjia për totalitarizmin por edhe nga kohët e mafies, korrupsionit e mungesës së strukturave sociale.
Si shpjegohet prania e pulëbardhave dhe aromës së detit në një qytet pa bregdet? Shkrimtari ukrainas, Andrej Kurkov, I lidh këto elemente me marrëdhënien e njerëzve me lirinë, vendet që duan.
Ndërsa ishte në Tiranë për të promovuar romanin “Jimi Hendrix Live in Lviv”, ai shpjegoi pse si shkrimtar, përdor humorin e zi dhe absurdin, për të treguar jetën.
“Falë tim vëllai që ka qenë disident sovjetik, kam mësuar shumë shaka mbi Brezhnjevin dhe Stalinin. Kam kuptuar që humori është një mënyrë e mirë për të luftuar dhe për më tepër, sensi i humorit është optimizëm. Të gjitha veprat e mia, kanë humor të zi, surealizëm dhe funde te lumtura”, u shpreh ai.
Në veprat e tij si “Vdekja dhe pinguini”, ai e përdor letërsinë si mjet për t’i treguar shoqërisë korrupsionin
“Letërsia është provokim për lexuesit, që i detyron ata të mendojnë për atë që lexojnë. “Vdekja dhe pinguini” tregon jetën pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në kohën e mafies e korrupsionit, në kohën e mungesës së strukturave sociale dhe është një roman për vetminë, kërkimin e dashurisë, si një ikje ndaj një të ardhmeje më të mirë. Viktori, personazhi i veprës, adopton një pinguin në kopshtin zoologjik dhe krijon familje artificiale për të luftuar kohët e vështira”, shprehet Kurkov.
Nostalgjinë e shoqërive që kanë jetuar nën totalitarizma, ai e lidh me manipulimet politike të atyre që kërkojnë të ripropozojnë kontrollin total të shoqërisë ndërsa letërsia e tij është një antidot mbi mbivendosjen e perceptimeve.
