Në mesin e 120 të plagosurve si pasojë e sulmit të mbrëmshëm terrorist në Ankara ndodhet edhe katër vjeçarja Nisanur Alimci e cila në momentin e shpërthimit ka qenë duke pritur autobusin bashkë me nënën e saj.

Vogëlushja Alimci është plagosur lehtë dhe aktualisht gjendet për kurim në spital, ndërkohë që mëngjesin e sotëm spitali ku është vendosur ajo është vizituar nga ministri i Shëndetësisë të Turqisë, Mehmet Muezzinoglu, shkruan agjencia e lajmeve Anadoll.

E ëma e saj Yildiz Alimci rrëfeu ngjarjen ashtu siç kishte ndodhur. “Unë dhe vajza ime prisnim autobusin kur ndodhi shpërthimi. Krijova përshtypjen se erdhi fundi i botës. Gjithkund rreth nesh kishte xhama. Mora vajzën në krah dhe fillova të vrapoj pa kthyer kokën prapa”, tha Alimci, e cila tha se ishte nisur të vizitojë nënën e saj.

Në kaosin e shkaktuar me të kishte qenë edhe e motra e saj me të cilën kishte humbur kontaktet, por më vonë kishte kuptuar se gjendej në spital dhe se gjendja e saj shëndetësore është e mirë.

“Falë Zotit të gjithë jemi mirë, por ishte një ngjarje e tmerrshme. Kurrë nuk do ta harroj”, tha Alimci.

Gjatë sulmit terrorist në Ankara humbën jetën 37 persona.

Gjashtëmbëdhjetë vjeçarja Destina Peri Parlak ishte në mesin e atyre të cilët nuk i mbijetuan sulmin terrorist. Kishte jetuar me të ëmën sepse babai i saj kishte vdekur para se ajo të lindë.

Siç rrëfen arsimtari i saj nga shkolla, Ali Ciper, pas sulmit të gjithë e kishin kërkuar nëpër spitalet e qytetit, por se pas mesnate ishin njohur për fatin e saj tragjik.

“Peri ishte nxënëse e zonja dhe këmbëngulëse, por para së gjithash shumë e kujdesshme. Djali im shkonte në klasë të njëjtë. Në vend të saj ka mundur të jetë ai”, tha Ciper, duke iu dridhur zëri.

Ministri i Shëndetësisë të Turqisë, Muezzinoglu, më herët deklaroi se në spitalet në Ankara për trajtim gjenden 71 persona të plagosur nga të cilët 15 në gjendje kritike.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: