Kosova do të zyrtarizohet të hënën si Kombëtarja më e re në botë. Përfaqësuesja kosovare do të debutojë në një fazë eliminatoresh dhe do të zhvillojë takimin e parë zyrtar të saj. Kosova është përfshirë në Grupin I të eliminatoreve të kampionatit botëror “Rusi 2018”.

Më 5 shtator, ekipi i drejtuar nga Albert Bunjaki do të luajë në Finlandë ndaj përfaqësueses vendëse takimin e parë eliminator. Por, stafi teknik është në ankth për sa u përket shtatë lojtarëve kryesorë. Federata Kosovare e Futbollit është duke pritur përgjigjen pozitive nga FIFA për futbollistët nëse do të mund të luajnë me përfaqësuesen kosovare ose jo.

Bëhet fjalë për Samir Ujkanin, Amir Rrahmanin, Alban Mehën, Milot Rashicën, Herolind Shalën, Vedat Muriqin dhe Valon Berishën, të cilët më parë janë aktivizuar me përfaqësuese të tjera. Pavarësisht se këta lojtarë janë grumbulluar me Kosovën, mediat kosovare kanë bërë të ditur se Federata është në pritje të dritës jeshile nga FIFA për këta lojtarë.

Pritet që këto ditë deri përpara ndeshjes të ketë një përgjigje përfundimtare nga organizmi më i madh i futbollit botëror. Ndërkaq, edhe gjatë ditëve të fundit është përfolur shumë në mediat kosovare dhe ato të huaja se edhe futbollistë që kanë luajtur me Zvicrën si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka apo ndonjë tjetër, kishin shprehur dëshirën për të luajtur për Kosovën, por nuk ishin lejuar nga FIFA.

Pjesëmarrja e përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret “Rusi 2018” po bën bujë në të gjithë botën. Edhe faqja braziliane “Planotatico” i ka kushtuar një shkrim special Kosovës. “Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në një turne zyrtar që kur u pranua si anëtare e FIFA-s. Ata do të bëjnë debutimin e tyre në transfertën e Finlandës. Janë në një grup shumë të vështirë me Kroacinë, Islandën, Ukrainën dhe Turqinë. Vetëm dy lojtarë nga 25 të ftuar luajnë në futbollin vendës; portieri Flamur Neziri (Feronikeli) dhe Granit Kolshi (Besa e Pejës)”, shkruhet ndër të tjera në faqen braziliane. Aty përmendet edhe diskutimi mes Federatave të Kosovës dhe asaj të Zvicrës për disa lojtarë./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb