“Sallaks si ky, një herë në 20 vjet i vinte Jugosllavisë”. Kështu e pat ‘pagëzuar’ veterani kroat, Ilija Lonçareviç, kur ishte trajner i Tiranës në vitin 2009. Me gjithë bujarinë e komplimentit të simbolit të Dinamos së Zagrebit, mund të thuhet se “sallaksa” si Ansi Agolli nuk i vijnë shpesh Shqipërisë. E majta e tij nxori disa herë në pozicion shënimi lojtarët e Kombëtares sonë përballë Armenisë. Nëse rastet do ishin finalizuar, rezultati mund të ishte më i thellë se 2-1. Ansi Agolli rrëfen për “Gazetën Shqiptare” emocionet e fitores, çastet e vështira në dhomat e zhveshjes dhe ëndrrën për “Francë 2016”. Ai pranon se ka marrë një dhuratë simbolike pas kthimit në Azerbajxhan, por shton se nuk bëhet fjalë për një “Rolex”.
Ansi, ndeshja me Armeninë u bë menjëherë e vështirë për shkak të golit të hershëm, por prej kësaj, edhe fitorja ishte më e bukur? E kishit menduar kaq të vështirë 3-pikëshin?
As që diskutohet që e kishim menduar se do të ishte e vështirë dhe sigurisht goli i shpejtë i armenëve na e vështirësoi edhe më shumë jetën. Unë do kisha preferuar që të shënonim neve në fillim dhe të fitonim, por edhe kështu si ndodhi ishte super. E rëndësishme është që dolëm me 3 pikë nga kjo ndeshje.
Të hysh në dhomat e zhveshjes në disavantazh 0-1 nuk është e lehtë. Çfarë ju tha trajneri De Biasi për t’ju motivuar? Është e vërtetë që ju tha: ju jeni më të mirë se ata?
Po, është e vërtetë që tha “jeni më të mirë se ata”. E tha i bindur dhe ashtu doli. Jo vetëm se bëmë golat në pjesën e dytë, por edhe sepse dominuam kundërshtarin.
Çfarë i thatë njëri-tjetrit me lojtarët e tjerë, para se të dilnit në fushë për pjesën e dytë?
I thamë njëri-tjetrit që nuk kishim më asgjë për të humbur.
Ju shkëlqyet dhe rezultuat ndër më të mirët në fushë. Cili ishte “çelësi”, a kishte ndonjë porosi konkrete para ndeshjes De Biasi për ju?
Nuk e mendoj kështu. Të gjithë ishim lart atë ndeshje, dhamë gjithçka kishim. Nuk kursyem as energjinë më të vogël. Ndoshta i kam kontrolluar mirë emocionet atë ditë. Me thënë të drejtën, ishte një ndeshje mjaft e tensionuar, pasi na kërkohej me doemos fitorja. Ambienti ishte përgatitur vetëm për fitore.
Në fund të ndeshjes u krijua një situatë jo e mirë në dhomat e zhveshjes. Presidenti i FSHF-së, Duka tregoi në televizion se ai pa Mavrajn duke qarë dhe askush nuk po festonte fitoren. Mund të na e përshkruani atë që ndodhi?
Me thënë të drejtën, të gjithë u dëshpëruam kur e pamë Mërgimin duke qarë dhe nuk kishim se si të festonim duke parë shokut tonë ashtu. Dikush nga çunat tha që babai i Mërgimit kishte ndërruar jetë, por fatmirësisht dhe shyqyr Zotit nuk ishte e vërtetë.
Cili ka qenë mesazhi më i veçantë që keni marrë për fitoren?
Të jem i sinqertë, kam marrë aq shumë dhe aq të bukura sa që nuk do të veçoja asnjë. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë dhe më japin vazhdimisht.
Çfarë ju tha presidenti Duka dhe trajneri në përfundim të ndeshjes?
Pas ndeshjes morëm përgëzimet e presidentit Duka dhe të trajnerit. Thanë njëzëri që “le të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë kështu”.
Si ju pritën në rikthimin tuaj në Azerbajxhan? Çfarë ju thanë në ekip dhe tifozët?
Më pritën si azerbajxhanas (qesh). Mjaft mirë. Mora përgëzimet e të gjithëve, duke filluar që nga polici që më vulosi pasaportën kur mbërrita në aeroport e deri tek trajneri im dhe shokët e skuadrës. Më thanë që shumë njerëz kishin parë ndeshjen nëpër lokale dhe kishin bërë tifozllëk për ne. Dihet që azerët dhe armenët janë në një konflikt që nga viti 1991, pas pushtimit nga ana e armenëve e një territori azer me emrin Nagorni Karabak. Më saktë, ky është territori i ekipit që unë përfaqësoj.
Para ndeshjes me Armeninë, ju thatë – ndoshta me shaka – që nuk është çudi të merrni një shpërblim për fitoren. Çfarë ju priti kur u kthyet në Azerbajxhan?
Me thënë të drejtën, këto janë gjëra që unë nuk është se u jap shumë rëndësi, sepse ky klub që unë përfaqësoj, më ka respektuar aq shumë saqë nuk e kam ndjerë asnjëherë veten larg shtëpisë sime. Unë dhe Teli (Admiri, shoku i skuadrës) u jemi shumë borxhlinj këtyre njerëzve, sepse na kanë mbajtur si bijtë e tyre, megjithatë po e shpjegoj dhe punën e premios. Kemi zhvilluar një miqësore para 2 vitesh kundër Armenisë në Tiranë dhe kemi fituar 2-0. Unë, bashkë me Telin kemi marrë premio nga trajneri ynë pas asaj ndeshjeje. Mu premtua edhe kësaj ndeshje dhe mora një dhuratë shumë të bukur nga trajneri im. Kjo tregon se sa e kanë përjetuar edhe këtu atë ndeshje.
A keni shpresa nga KAS-i i Lozanës për një vendim pozitiv për ne, për nde-shjen Shqipëri-Serbi?
Kam shumë besim që drejtësia do vijë në vend dhe ne do të na jepet ajo që na takon. Shpresoj shumë…
Kanë mbetur dhe 4 ndeshje për Kombëtaren në këto eliminato-re. Cilën shihni si ndeshjen më kyçe nga këto të katërta, që mund të ndikojë në vendin tonë në klasifikimin final?
Mendoj se eliminatoret tona sapo kanë filluar. Më e vështira vjen tani, duke nisur nga ndeshja me Danimarkën. Të katërta ndeshjet janë kyçe, nuk do të bëja veçime. Duhet të marrim maksimumin, të mos bëjmë llogari, por të luftojmë fort në çdo ndeshje për të marrë pikët maksimale. Këto vitet e fundit kemi bërë shumë llogari dhe jemi zhgënjyer. Le t’i lëmë një herë llogaritë për në fund. Mbase do të jetë më mirë…
Si është jeta profesionale në Karabak, a jeni i kënaqur me arritjet aty… Luajtët përballë Interit në Europa League…
Unë dhe ekipi im jetojmë në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit. Siç e shpjegova edhe me lart, territori që klubi ynë përfaqëson është pushtuar nga forcat armene dhe rreth 1 milion njerëz janë shpërngulur nga territoret e pushtuara dhe kanë ardhur në Baku apo qytete të tjera. Nga pushtimi, ka pasur genocid nga armenët dhe ky është problemi më i madh i këtij konflikti. Jeta profesionale e imja dhe e ekipit arriti kulmin këtë vit, duke u përfaqësuar edhe në grupet e Europa League, që siç e dini të gjithë, jemi eliminuar në ndeshjen e fundit me një gol të rregullt që na u anulua padrejtësisht. Momentalisht, kryesojmë kampionatin me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë.
Dihet që ju jeni një lojtar simbol i K. F. “Tiranës” dhe i tifozerisë bardheblu. Ajo ju mbështeti në “Elbasan Arena” dhe natyrisht ëndërron një rikthimin tuaj “në shtëpi”. Ju e mendoni këtë moment, apo e shihni të largët?
Ahhh, Tirona dhe “Tirona Fanatics”. Pika ime e dobët. Më dukej sikur vetëm ata ishin atë ditë në “Elbasan Arena” sepse s’kanë pushuar gjithë ndeshjen duke na mbështetur, me gjithë respektin që kam për grupimet e tjera që ishin në stadium. Unë jam afër tyre, në një mënyrë apo një tjetër, mbase jo prezent fizikisht, por në mënyrën time jam. As që diskutohet: unë do të kthehem një ditë dhe për këtë jam shumë i sigurt. Si puna e atij fëmijës që del dhe shëtit gjithë ditën, por në darkë shkon te ‘nona vet’.
Diçka shtesë. Meqenëse jam prej 5 vitesh këtu, dua apo s’dua jam bërë pak azer (qesh). Kisha një dedikim për këtë fitore për trajnerin tim këtu në Karabak FC, pasi është ai që punon aq shumë që unë të rritem profesionalisht dhe do të doja ta ndaja këtë fitore gjithashtu, me gati 1 milion refugjatë të cilët jetojnë këtu në Baku, larg shtëpive të tyre. Një histori e dhimbshme e ngjashme me atë shqiptarëve të Kosovës në kohën e luftës. Uroj që një ditë të kthehen në vendin e tyre dhe që ekipi im një ditë të luajë në qytetin e tij, aty ku ka prejardhjen e të parëve.
Bisedoi: E.M.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
