Nga Fatmira Nikolli

Antifashizmi shihet përtej kodimit të së majtës. Një projekt artistik që përfshin disa vende, synon që përmes artit të ndërgjegjësojë shoqërinë bashkëkohore mbi strukturat autoritare që bartin elemente fashizmi.

Ndërsa shoqëritë bashkëkohore, po shfaqin tendenca autoritare në rritje dhe paqëndrueshmëri socio-politike, brishtësia e strukturave demokratike po vihet në provë.

Lufta e Kosovës, ajo e Ukrainës, rritje liderësh nacionalistë, politika antiemigrantësh, forca policore që tejkalojnë veten dhe më pas situata në Gaza gjejnë vend përmes veprave e kërkimeve artistike në galerinë “Lothringer 13 Halle” në Mynih në Gjermani.

Nën titullin “Antifashizëm tani”, galeria Lothringer dhe Instituti ‘Goethe’, në bashkëpunim me institucione nga Athina, Beogradi, Bukureshti, Stambolli, Prishtina, Sarajeva, Shkupi, Tirana dhe të tjerë, përgjatë tri viteve, do të nxjerrin në pah përmes artit, se antifashizmi është një përgjegjësi qendrore e shoqërive demokratike. Pas hapjes së ekspozitës së parë në Mynih, drejtori artistik i projektit, Kalas Liebfried sqaroi nismën për News24.

“Ekspozita “Antifashizëm tani” fokusohet te brezi i ri që i kërkohet ide, se si mund të ripërkufizohet antifashizmi, se si mund të normalizohet në mënyrë demokratike dhe se si mund të kthehemi kundër demonizimit të këtij termi. Pjesa “tani” adreson një lloj urgjence, që do të thotë se antifashizmi duhet të ndodhë tani. Pra ka dy anë: njëra anë është negocim dhe diskutim dhe tjetra është aksion urgjent”, thotë Liebfried.

Përmes performancave dhe paneleve të diskutimit, elementet e fashizmit që hasen në shoqëritë e sotme, u diskutuan, duke kërkuar zgjidhje përkrah problematikave. Kërkime artistike, rezidenca, simpoziume, ekspozita modulare, programe edukative dhe një seri formatesh publike specifike sipas vendit do të marrin jetë deri në vitin 2029. Por si mund të përfshihet arti në një nismë të tillë, kur ka artistë që nuk duan të jenë pjesë aksionesh politike? Cili është roli i artit dhe si mundet arti të na bëjë më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për atë që ndodh?

“Nuk është vetëm arti, por edhe praktikat kulturore, të cilat janë diverse e përfshijnë edhe gazetarinë. Nga një perspektivë ndërkombëtare, mundëson diskutime të shumëllojshme. Të gjitha këto grupe solidariteti do të thosha unë, munden njëkohësisht të krijojnë aksion dhe diskutim, mbi atë që duhet të jetë antifashizmi tani, si forcë normale demokratike, që na mundëson t’i rezistojmë ideologjisë fashiste, që përfshin disa beteja, si racizmi, antisemitizmi, qasjet kolonialiste, revizionimin e historisë, fshirjen e kujtesës së rezistencës ndaj fashizmit në Evropën lindore”, thotë Liebfried.

Llojet e kontributeve artistike krijojnë një imazh kompleks, por jo slogane as zgjidhje të thjeshta. Projekti synon të zhvendosë antifashizmin nga një kontekst i përcaktuar ngushtë, i koduar nga e majta, dhe ta pozicionojë atë si një shqetësim të shoqërive bashkëkohore në tërësi – si një qëndrim, një praktikë dhe një element strukturor të kulturës demokratike. Në këtë kuptim, Antifashizmi kuptohet jo vetëm si rezistencë ndaj lëvizjeve historike ose haptazi të ekstremit të djathtë, por si një angazhim aktiv kundër strukturave autoritare në të tashmen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb