Në Shqipëri, Gjykata e Apelit rrëzoi sot një vendim të Gjykatës së Shkallës së parë, për ekstradimin në Kosovë, të ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, i arrestuar më 31 korrik në Tiranë, mbi bazën e një urdhër arresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e pretenduara të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Gjykata e Apelit në Tiranë, urdhëroi po ashtu lirimin e tij të menjëhershëm.

Rasti i zotit Goxhaj, përfaqëson, arrestimin e parë, të një shtetasi shqiptar me urdhër të Dhomave të Specializuara, të cilat veprojnë në Hagë me ligjet e Kosovës por me personel ndërkombëtar. Prokuroria e Posaçme në Kosovë, kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e zotit Goxhaj në lidhje me veprat “kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Shkak për lëshimin e urdhër arrestit ndaj zotit Goxhaj, duket të jetë bërë një shkrim i postuar prej tij në Facebook me titull ““Mëmëdheu, UÇK-ja dhe Gjykata Speciale”, ku ndër të tjera, sipas deklarimeve të babait të tij, ai përmend emrat e 5 dëshmitarëve të fshehtë dhe një dëshmitari të mbrojtur nga Shkodra, të cilët kanë qenë pjesë e procesit ndaj ish pjesëtarit të UÇK- së, Sali Mustafa, i cili u dënua dhjetorin e kaluar më 26 vjet burgim, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Avokatët e zotit Goxhaj, folën për motive politike në arrestimin e tij, duke kundërshtuar ekstradimin. Po ashtu, sipas tyre, në fashikull mungonte një shkresë ekstradimi e nënshkruar nga ministri i Drejtësisë së Kosovës. Një tjetër moment i kundërshtuar prej tyre ishte fakti se “kërkohet që ai të ekstradohet drejt Holandës dhe jo drejt Kosovës. Individi që premtohet për t’u dërguar në vendin kërkues do duhet të çohet brenda kufirit gjeografik të atij vendi. Nuk është Holanda territor i Kosovës. Shqipëria nuk ekstradon shtetas të saj në Holandë”, thanë avokatët. Nga ana tjetër sipas tyre “vepra që i adresohet Dritanit është e papërcaktuar pse është penale, pse përbën fakt penal publikimi i tij i bërë në Facebook. Më e rëndësishme është se gjykata që e kërkon nuk ka kompetencë lëndore e as tokësore për këtë vepër”.

Gjykata e Posaçme e cila u themelua nga parlamenti i Kosovës, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë ish udhëheqës të lartë të saj, ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të gjithë, i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. /VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: