Është miratuar këtë mërkurë (19.07.2023) kredia për studentët në vendin tonë. Sipas ministres së Arsimit Evis Kushi, kredia do t’u jepet atyre studentëve që nuk kanë përfituar asnjë bursë apo që nuk janë përjashtuar nga tarifa vjetore.

Kredia do të jepet me dy këste dhe do të përllogarisë tarifën e universitetit si dhe një shumë parash që shkon ekuivalent me pagën minimale.

Në VKM-në  e publikuar bëhet me dije se Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ka shpallur renditjen e kërkesave për kredi studentore. Studentët do të nisin pagesën pas përfundimit të studimeve master ose bachelor.

V E N D I MI PËR PËRCAKTIMIN E SKEMËS SË KREDITIMIT STUDENTOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Studenti, me shtetësi dhe vendbanim në Shqipëri, i cili është regjistruar dhe ndjek studimet në një institucion të arsimit të lartë, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kredi studentore, për financimin e kostove të studimeve.

Kostoja e studimeve, për efekt të masës së kredidhënies, përfshin tarifën e studimeve dhe kostot e jetesës. Kostot e jetesës përllogariten deri në kufirin e pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), brenda muajit janar, negocion me bankat e nivelit të dytë për dhënien e kredive studentore, mbi bazën e kushteve, si më poshtë vijon:

a) Kredia studentore jepet pa kolateral fizik;
b) Kredia studentore jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi;
c) Financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, dhe financimi i çdo kësti realizohet vetëm pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka shlyer tarifën vjetore të shkollimit të vitit akademik dhe ka frekuentuar procesin mësimor;
ç) Detyrimi i shlyerjes së kredisë, përfshirë principalin dhe interesin e kredisë nga studenti kredimarrës, fillon jo më herët se 3 (tre) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të ciklit të parë; jo më herët se 2 (dy) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të ciklit të dytë dhe jo më herët se 5 (pesë) vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë;
d) Norma e interesit të kredisë studentore të jetë më e ulët se norma mesatare e interesit për kreditë konsumatore, të dhëna nga institucioni kredidhënës për 2 (dy) vitet e fundit, përfshirë vitin në të cilin jepet kjo kredi;
dh) Norma e interesit të kredisë të jetë e pandryshueshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.

Kushtet e tjera përcaktohen nga palët, kërkuesit për kredinë studentore dhe banka e nivelit të dytë, në kontratën e kredisë së lidhur ndërmjet tyre.

Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë informon ministrinë përgjegjëse për arsimin për negociimet e zhvilluara me bankat e nivelit të dytë, duke i listuar ato sipas normës më të ulët të interesit të ofruar për kreditë studentore.

Studenti, i cili nuk është subjekt i përfitimeve prej akteve të tjera që mbështesin studentin me bursa, mbështetje financiare apo përjashtime nga tarifat, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kredi studentore pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, brenda muajit shkurt. Bashkë me kërkesën, studenti paraqet dokumentacionin që vërteton regjistrimin si student në institucionin përkatës të arsimit të lartë dhe numrin e matrikullimit.

Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, brenda muajit mars, vlerëson dhe rendit kërkesat e studentëve për kredi studentore, mbi bazën e kritereve, si më poshtë vijon:

a) Vlera e kredisë së kërkuar, sipas të cilës AKFAL-i i rendit kërkesat për kredi, duke preferuar kërkesat me vlerën e kredisë më të ulët;
b) Lloji i programit të studimit ku është regjistruar studenti, i cili kërkon kredi. Nga kërkesat për kredi, të renditura sipas shkronjës “a”, preferohen kërkesat e paraqitura nga studentët e regjistruar në programe studimi, të përcaktuara si programe prioritare në institucione publike të arsimit të lartë, që plotësojnë detyrimin sipas pikës 6, të këtij vendimi, referuar akteve nënligjore në fuqi, si dhe në programe të tjera studimi, të ofruara nga institucione publike të arsimit të lartë;
c) Rezultatet e studentit kërkues për kredi studentore. Kërkesat për kredi studentore, të cilat, sipas parashikimeve të dy pikave të mësipërme “a” dhe “b”, janë vlerësuar njëlloj të preferuara, do të renditen sipas nivelit më të lartë të rezultateve të studentit që kërkon kredi. Rezultate të studentit, sipas studimeve që ai ndjek, konsiderohen rezultatet, si më poshtë vijon:

Rezultatet e arsimit të mesëm të lartë, për studentët të cilët kërkojnë kredi studentore në vitin e parë të studimeve;
ii. Rezultatet e vitit/viteve akademik/e paraardhës/e, për studentët të cilët kërkojnë kredi studentore pas vitit të parë të studimeve për programet profesionale të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë. Për studentët pas vitit të dytë përllogaritja e notës mesatare bëhet si total i viteve të mëparshme të studimit;
iii. Rezultatet e ciklit të parë të studimeve për studentët që kërkojnë kredi kur janë regjistruar në një program studimi të ciklit të dytë, pavarësisht vitit që ndjekin.

Brenda afatit të përcaktuar në pikën e mësipërme, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë shpall renditjen e kërkesave për kredi studentore dhe informon ministrinë përgjegjëse për arsimin për këtë renditje.

Brenda 15 ditëve nga shpallja e listës me renditjen e kërkesave për të përfituar kredi studentore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ia paraqet këtë listë bankave të nivelit të dytë, të cilat kanë pranuar të ofrojnë kredinë studentore, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, me normën më të ulët të interesit. Brenda të njëjtit afat, njoftohen edhe studentët për vijimin e procedurave dhe lidhjen e kontratës së kredisë me bankën përkatëse.

Numri i kërkesave për të përfituar kredi studentore, të cilat do të paraqiten te banka/bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të pikës së mësipërme të këtij vendimi, do të rakordohet me fondin, i cili angazhohet çdo vit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për financimin e normës së interesit të kredive studentore.

Brenda muajit maj, me miratim të ministrisë përgjegjëse për arsimin, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë lidh me bankën e nivelit të dytë marrëveshje për të financuar një pjesë të normës së interesit të kredive studentore, që banka do të kontraktojë me studentët, por jo më shumë se 5 (pesë) pikë përqindje të normës së interesit.
12. Pasi vlerëson respektimin e kushteve të skemës së kredisë studentore nga banka, për çdo kontratë kredie studentore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë miraton financimin e pjesës së interesit të çdo kësti kredie të disbursuar kundrejt studentit, bazuar në nivelin e përcaktuar në marrëveshjen përkatëse të financimit.

Mundësimi i skemës së kredive studentore bëhet nëpërmjet fondit të financimit të interesit të kredive studentore për institucionet publike të arsimit të lartë. Ky fond është pjesë e programit buxhetor të arsimit të lartë, që përllogaritet deri në 0,5% të shumës vjetore të grantit të mësimdhënies, duke iu zbritur këtij granti dhe i transferohet bankës/bankave të nivelit të dytë nga ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet tyre dhe AKFAL-it, në varësi të kontratave të kredive të nënshkruara.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për ministrinë përgjegjëse për arsimin.

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb