TIRANE

Një biografi e re për Fan Nolin, që nis me mbërritjen e tij në Amerikë më 1906 dhe vijon deri më 1920 kur ai erdhi në Shqipëri, është promovuar në COD në kryeministri. Nën titullin “Apostulli”, Ilir Ikonomi përcjell frymën e mendësinë e kohës pasi ka shqyrtuar një sërë arkivash për të përcjellë një mjedis shqiptarësh të Amerikës që i ngjan një sheshi beteje.

“Është apostull në kuptimin me mision se ai Noli ishte njeri me mision. Librin e përshkon ky koncept, i gjuhës shqipe, për të bërë kishën shqipe dhe për të luftuar për Shqipërinë me anë të kishës shqipe. Meqë Noli zgjodhi gjuhën shqipe për të bërë luftën e tij me anë të kishës, në kishën ortodokse të Nolit, në kishën shqipe siç e quanin ata, nuk vinin vetëm ortodoksë, por edhe myslimanë dhe kjo ishte edhe çudia më e madhe, që ndodhte në Boston”- tha Ilir Ikonomi.

Krijimi i kishës së parë shqipe, motivet që e shtynë Nolin të bëhej prift, shkëputja e tij nga sinodi rus, dëshira për tu bërë peshkop, përçarja e klerit shqiptar të SHBA-së dhe qasjet e tij patriotike ndërthuren në veprën prej 430 faqesh. Entuziazmi për punët e mëdha dhe egoja e shpërthimet e papritura janë pjesë e studimit që cilësohet objektiv.

“Na sjell një reportazh nga më objektivët e neutralët në lidhje me figurën e atij që e ka cilësuar apostull në titullin e këtij libri, por në fakt pa ngarkesa emocionale, pa glorifikim, pa asnjë lloj mitizimi, vjen jashtëzakonisht balancuar, dhe si një tekst që mund ta përcjellim pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hezitim, pa asnjë merak”- tha dekania e Shkencave Humane, në UET Belina Budini.

I pyetur nga kryeministri për surprizat e librit, Konomi përmendi hetimin nga Byroja e Hetimit Amerikan të Nolit I dyshuar si agjent austriak. Pëllumb Xhufi dhe Nevila Nika u ndalën në aspekte të jetës së Nolit në një bisedë për një prej figurave më interesante e kontroverse të historisë së Shqipërisë.

Një biografi e re për Fan Nolin, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë është promovuar në kryeministri. Raporti i tij me kishën ruse dhe kisha shqipe e gjuha shqipe përshkojnë konceptin e botimit që cilësohet objektiv. Autobiografia ‘Apostulli” është botim i “UET Press”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: