Figura e Mbretëreshës Teuta ka zënë gjithmonë një vend qendror në memorien historike shqiptare, por pothuajse asnjëherë nuk ishte shndërruar në objektin ekskluziv të një studimi të plotë dhe të pavarur shkencor. Për dekada me radhë, ajo është trajtuar e fragmentarizuar brenda historisë së përgjithshme ilire ose si një kapitull i Luftërave Iliro-Romake. Ky “boshllëk” në historiografinë tonë plotësohet më në fund nga studiuesi Adrian Progni me librin e tij më të ri, “Teuta – Mbretëresha e Detit”.

Kjo vepër shënon monografinë e parë historiko-shkencore në gjuhën shqipe që fokusohet tërësisht tek figura e Teutës, duke sjellë një kontribut me vlerë të jashtëzakonshme për studimet albanologjike.

Ndryshe nga botimet e mëparshme, libri i Prognit guxon të zhveshë figurën e Teutës nga interpretimet emocionale apo mitet e krijuara përgjatë shekujve. Përmes një ballafaqimi sistematik të burimeve antike (si Polibi, Apiani e Tit Livi) me literaturën bashkëkohore ndërkombëtare, autori shtron pyetje thelbësore që sfidojnë versionin tradicional të historisë: a ishte Teuta vërtet një “mbretëreshë pirate”, apo ky ishte thjesht një konstrukt propagandistik i Romës për të legjitimuar pushtimin e Adriatikut; cili ishte niveli real i organizimit shtetëror dhe administrativ të mbretërisë ardiane; dhe çfarë peshe specifike kishte fuqia detare ilire në ekuilibrat politikë të Mesdheut Lindor. Autori nuk ofron përgjigje të sipërfaqshme, por ndërton një analizë të ftohtë shkencore, duke shmangur qasjet ideologjike.

Adrian Progni
Adrian Progni

Vepra nuk kufizohet vetëm te portreti i mbretëreshës. Ajo shtrihet më gjerë, duke analizuar ngritjen e dinastisë ardiane, konsolidimin e shtetit nën Mbretin Agron, strukturën e ushtrisë dhe flotës, si dhe pasojat gjeopolitike që solli zgjerimi i Republikës Romake në Ballkan. Libri vjen me një aparat të pasur bibliografik, çka e shndërron atë në një pikë të fortë reference për studiuesit, arkeologët dhe studentët e historisë.

Në një kohë kur lashtësia shqiptare shpesh politizohet ose paraqitet në mënyrë të fragmentuar, “Teuta – Mbretëresha e Detit” vjen si një dëshmi e pjekurisë metodologjike.

Ky botim nuk synon të imponojë një të vërtetë absolute, por të nxisë debate të reja dhe një lexim kritik të burimeve, duke ftuar çdo lexues të njohë me seriozitet njërën prej figurave më magjepsëse të historisë sonë dhe vendin që ajo zuri në arenën ndërkombëtare të Mesdheut antik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb