Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së forcave shtetërore në ambientet e televizionit News24, duke e cilësuar si vazhdim të mentalitetit të qeverisë ndaj lirisë së shtypit dhe medias.
“Çdo media që nuk bëhet urë e regjimit për të paraqitur të zezën si të bardhë vendoset nën sanksione. Është alarmante që një shtet anëtar i NATO-s dhe që po avancojnë me kapitujt e integrimit evropian të ketë një pushtet me këtë qasje ndaj lirisë së shtypit. Nuk mund të anëtarësohesh në Evropë nëse liria e shtypit nuk është e garantuar,” tha Noka.
Ai u ndal edhe tek figura e Ardi Veliut, duke e cilësuar si përgjegjës për çdo “krim qeveritar” dhe duke akuzuar se ka vepruar për interesat e pushtetit dhe jo për ligjin edhe në sulmin ndaj News24.
“Si mund t’i vërsulesh një media që ka kontribute shumë vjecare në Shqipëri për shoqërinë? Ardi Veliu qëndron pas cdo krimi qeveritar. Në ngjarjen e Elbasanit falsifikoi privat, e mbani mend vrasjen e atij të riut në Tiranë. Kambalja ka ardhur për t’i shërbyer padronit, jo ligjit. Gojët e liga thonë që kur ishte drejtor policie në Vlorë iu vodh shtëpia dhe iu gjetën 500 mijë euro. Kjo kategori nejrëzish nuk duhet të lejohet në dyert e shtetit”, u shpreh ai.
