Prokurori Arjan Ndoji flet për herë të parë nga spitali për atentatin që iu gjashtë ditë më parë te mbikalimi i Shkozetit, teksa po udhëtonte me shoferin e tij, Andi Maloku, dhe një personazh të njohur të botës së krimit, Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.

Nga reparti i Ortopedisë, në Spitalin e Durrësit, ku vijon të kurohet, prokurori bisedoi me gazetaren e “News24”, Klodjana Haxhiaj, dhe tha se nuk i trembet askujt, pasi nuk i ka borxh njeriu, duke shtuar se ua ka lënë organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen.

Pavaresisht kësaj, Ndoji është i bindur se atentati i është bërë për shkak të detyrës së tij si prokuror, por nuk zbardh të tjera detaje për çështje apo dosje konkrete.

“Ua kam lënë në dorë organeve të drejtësisë ta zbardhin ngjarjen. Unë nuk i trembem askujt, pasi nuk i kam borxhe askujt. Mediat kanë trilluar shumë histori për mua. Kam investuar 20 vite në punën time. Do flas në një moment tjetë për të gjithë ngjarjen, e cila ka ndodhur për shkak të Arjanit prokuror”, shprehet prokurori Ndoji për “News24”.

Si pasojë e plumbave të atentatit të 1 nëntorit pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës së prokurorit, ky i fundit u plagos bashkë me dy tjerët, që ndodheshin në mjet, ku më rëndë është shoferi i tij, Andi Maloku. 72 orë pas atentatit policia ndaloi autorin e parë të dyshuar të atentatit, 34-vjeçarin Redjan Rraja, që është edhe kushëri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb